PS-PD: OK ndryshimeve në Kushtetutë për reformën elektorale
Valentina Leskaj: “Proporcionali rajonal zhduk fenomenin e Dushkut”. Kryeministri Berisha: “Mbështesim propozimet e Partisë Socialiste”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste avancon edhe më tej në propozimet e saj për reformën zgjedhore, teksa dje i ka paraqitur këto propozime në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Selia rozë nuk heq dorë nga qëndrimi i saj për përzgjedhjen e sistemit proporcional rajonal, për të cilin së bashku edhe me çështje të tjera që përbëjnë reformën zgjedhore, i ka bashkëngjitur në formën e një amendamenti së bashku me kërkesën për ndryshimin në Kushtetutë. Një gjë e tillë është deklaruar dje publikisht nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila deklaroi se nisma e PS-së kishte marrë miratimin e Konferencës së Kryetarëve për t’u futur në procedurë dhe në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Nisma e PS-së është mbështetur dhe inkurajuar gjithashtu edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu gatishmërinë për ta mbështetur atë.
Propozimet e PS-së
Kërkesa e Partisë Socialiste është e lidhur me përzgjedhjen e sistemit proporcional rajonal, duke mos ndryshuar ndarjen administrative aktuale të Republikës së Shqipërisë. Selia rozë është shfaqur e palëkundur gjithashtu edhe në përdorimin e listave të mbyllura. “Në thelb nisma konsiston në amendimet kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor. Konkretisht, kalimin në sistemin proporcional me lista shumemërore bazuar në ndarjen administrative, sipas qarqeve aktuale”, - deklaroi kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. PS-ja është shprehur kundër reduktimit të vendeve në parlament, ndërkohë që nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë për të negociuar me partitë e vogla për çështje të tjera të reformës zgjedhore, siç është ajo e rritjes së pragut elektoral, apo përbërjes së komisioneve zgjedhore.
Leskaj
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se propozimi i PS-së garanton evitimin e fenomenit të Dushkut në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, ndërkohë që nga ana tjetër ajo shprehu gatishmërinë për të biseduar dhe negociuar me të gjitha forcat politike për realizimin e reformës zgjedhore.
“Ne besojmë se ky propozim na jep një sistem zgjedhor të drejtë, përfshirës e me përfaqësim politik të ndershëm. Duke bërë këtë propozim ne dëshirojmë një zgjidhje konsensuale, dhe jemi të hapur për kontribute të forcave të tjera politike. Ne besojmë se kjo është një reformë e ndan vendin dhe politikën nga sistemi i kalbur që kemi aktualisht, nga një sistem që deformon përfaqësimin politik”, - tha Leskaj.
Berisha
Propozimi i paraqitur nga Partia Socialiste duket se ka gjetur viston e menjëhershme nga ana e kryeministrit dhe liderit të maxhorancës, Sali Berisha. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha përshëndeti paraqitjen në Kryesinë e Kuvendit, të amendamenteve për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, lidhur me reformën zgjedhore, të paraqitura nga Partia Socialiste. “Unë dua të garantoj opozitën dhe shqiptarët, që kjo qeveri e ka bazuar platformën e vet vetëm tek reformat dhe në ketë kontekst mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre, duke ruajtur të pacenuara çdo lloj të drejte për të kritikuar qeverinë”.
Xhufi: “Reforma zgjedhore, segmente të PS-së ranë në kurthin e Berishës”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, gjatë fjalës së tij të djeshme në Parlament, ka deklaruar se procesi i bashkëpunimit për reformat është i veshur me fasadë hipokrizie dhe se segmente të caktuara të Partisë Socialiste kanë rënë viktimë e kurthit të ngritur nga kryeministri Berisha. “Të gjithë e ndiejmë se kësaj atmosfere pozitive bashkëpunimi për reformat në funksion të integrimit në NATO, nuk i ka munguar një dozë jo e vogël hipokrizie. Nuk i kanë munguar edhe përpjekjet për të kaluar kontrabandë ligje të dyshimta e pakte të fshehta, që në thelb mbrojnë interesa të pjesshme dhe e dëmtojnë interesin e përbashkët. Një prej këtyre pakteve të fshehta, që ka trazuar ujërat e politikës ditët e fundit, është ai që ka të bëjë me sistemin zgjedhor të ideuar nga mendja pjellore e kryeministrit dhe të promovuar nga segmente të caktuara të opozitës”, - tha Xhufi. Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim shprehu vullnetin e LSI-së për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Ne si LSI e kemi denoncuar dhe do ta bëjmë akoma më me forcë në të ardhmen, këtë atentat të ri kundër demokracisë, që ka edhe kësaj here të njëjtët aktorë e protagonistë”.
Basha në Libi, lobing me Kadafin për Kosovën
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë në Libi, ku u prit nga autoritetet më të larta të shtetit afrikan. Ministri Basha u prit në takim nga Moammar Abu Minyar al-Kadafi, udhëheqësi i Libisë, nga ish-kryeministri libian Abdulaiti Albeidi, anëtarë të tjerë të qeverisë si dhe nga personalitete të fushave të biznesit. Takimi me udhëheqësin libian pati në qendër të bisedimeve bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis dy vendeve tona kryesisht në fushën e energjisë, naftës, projekteve të përbashkëta në infrastrukturë etj. Ministri Basha shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për intensifikimin e kontakteve diplomatike dhe vizitave dypalëshe, të cilat do të krijojnë mundësinë e eksplorimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të ardhmen. Kosova ishte një temë e rëndësishme që u trajtua gjatë takimit me udhëheqjen libiane. Në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Libisë, ministri Basha u shpreh se Shqipëria beson në një politikë mbështetëse të Libisë ndaj Kosovës. Basha shprehu bindjen e tij se Libia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe një vend me peshë në kontinentin afrikan, do të përdorë influencën e saj në mbështetje të Kosovës.
Debati në Kuvend, shtyhen ndryshimet në ligjin e legalizimeve
Kuvendi ka shtyrë ditën e djeshme miratimin e disa ndryshimeve në ligjin për legalizimet. Seanca e djeshme është përfshirë nga debate të ashpra mbi përmbajtjen e këtij ligji. Opozita ka kundërshtuar ashpër ndryshimet duke i cilësuar si boshe dhe problematike. “Propozimet tuaja nuk zgjidhin statusin e pronësisë. Mbas 40 viteve do të dalin kërkesa mbi të njëjtën pronë. Këtë diskutim duhet ta bënit ju si të djathtë sot”, - tha deputeti Pandeli Majko. Ndërkohë, edhe deputetja Dade u shpreh se me pronat janë bërë abuzime të shumta ndaj dhe kësaj situate i duhet dhënë fund. Debati i ashpër ka detyruar drejtuesin e seancës, Fatos Beja, që të shtyjë për javën e ardhshme këtë projektligj. Qeveria, me ndryshimet e kërkuara, i ka rritur kompetencat Agjencisë së Legalizimeve për të përshpejtuar dhënien e legalizimit si dhe kalimin sa më të shpejtë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’u hipotekuar përfundimisht. Fillimisht në legalizimin e ndërtimeve informale, hipotekimin e tyre, urbanizimin si dhe kompensimin e çdo ish-pronari që është ndërtuar në truallin e tij në mënyrë të paligjshme. Qeveria, me ndryshimet e djeshme ka rritur ndjeshëm kompetencat e ALUIZI-t, i cili do të zbatojë të gjithë procesin. Qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet dhe çdo veprim do të bëhet me formular, pa u kontaktuar me zyrtarët. Miratimi në KRRTRSH i zonave informale u ka hapur rrugën verifikimeve dhe më pas direkt do të kalohet në pagesën e lejes së legalizimeve.
11 Mars 2008