E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet pyetësori. Komisioni Europian nuk ka kërkuar asnjë sqarim për bojkotin e PS-së

Gjithsej 383 faqe kompjuterike. Kjo është gjatësia e pyetësorit që Komisioni Europian i ka dorëzuar Shqipërisë në kuadër të përgatitjes së opinionit për kërkesën e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kapitulli i parë, por që vlerësohet si ndër më të rëndësishmit, është ai i kritereve politike. Këtu përfshihen 120 pyetje konkrete, të cilave shteti shqiptar do të duhet t’u japë përgjigje të detajuara. Komisioni Europian kërkon të jepet përshkrim mbi situatën kushtetuese në Shqipëri. Një pyetje e veçantë i kërkon palës shqiptare të thotë nëse është identifikuar apo jo një dobësi e Kushtetutës dhe a ka plane për ta ndryshuar atë. Detaje konkrete kërkohet edhe në lidhje me Gjykatën Kushtetuese dhe mënyrën se si garantohet pavarësia dhe respektimi i vendimeve të saj.
Parlamenti
Në pyetësor kërkohet të përshkruhet struktura dhe funksionimi i Parlamentit, përfshirë edhe kompetencat e komisioneve parlamentare, të drejtat dhe kompetencat e Parlamentit në kuadër të kontrollit të pushtetit ekzekutiv dhe procedurat për adaptimin e ligjeve. Një pyetje interesante është nëse ka apo jo një sistem verifikimi, në nivel parlamentar, për përputhshmërinë e nismave të reja ligjore me ato të Bashkimit Europian. Kërkohet të kuptohet edhe nëse ka ndonjë detyrim për të analizuar impaktin fiskal të një ligji të ri përpara zbatimit të tij. “Sa parti politike janë të regjistruara në vendin tuaj? Sa prej tyre janë të përfaqësuara në Parlament? Sa për qind e parlamentarëve janë (a) femra dhe (b) nga etni dhe minoritete”, është një tjetër pyetje e pyetësorit që i është dorëzuar Shqipërisë. Pala shqiptare duhet të përshkruajë edhe dispozitat ligjore dhe institucionale për zgjedhjen e anëtarëve të Parlamentit. Një kriter që ka zënë vend të rëndësishëm në pyetësor është çështja e kuadrit ligjor për financimin e fushatave të partive politike dhe rregullat ligjore që garantojnë transparencën dhe detajet mbi monitorimin e zbatimit të saj.
Qeveria
Komisioni Europian kërkon të sqarohet detyra e qeverisë për planifikim dhe monitorim strategjik. A ka një program të qeverisë? Si është i përgatitur ai, a ka një afat për zbatimin dhe si monitorohet ky zbatim? Si përgatitet dhe monitorohet programi legjislativ i qeverisë? Më tutje kërkohet informacion për natyrën e akteve ligjore që ekzistojnë dhe mënyrën se si ato janë miratuar. KE pyet nëse është përdorur procesi i konsultimit qoftë brenda qeverisë apo edhe me palët e prekura nga nismat ligjore. Pjesa tjetër e pyetjeve sa i takon qeverisjes ka të bëjë me pushtetin vendor. Komisioni pyet lidhur me ndarjen e qartë të kompetencave midis pushtetit qendror dhe atij lokal. Qeveria duhet të japë llogari për planin e decentralizimit dhe mënyrën se si ai është realizuar deri më tani. Mundësia financiare e pushtetit lokal për të ushtruar funksionet e veta është një tjetër pikë e rëndësishme e pyetësorit të Komisionit Europian. Një pyetje është specifikisht për çështjen e pronës shtetërore, përfshirë pasuritë e patundshme dhe autoritetet që janë përgjegjëse për menaxhimin e pronës shtetërore.
Administrata
Pyetjet kërkojnë informacion në lidhje me të gjitha strukturat dhe organet shtetërore, burimin e financimit të tyre, misionin dhe numrin e punonjësve. Komisioni pyet në lidhje me mënyrën se si rekrutohen nëpunësit shtetërorë në administratë dhe të dhënat lidhur me trajnimet e administratës në tre vitet e fundit. Konkretisht i jepet rëndësi përqindjes së grave në administratë ashtu sikurse përfaqësuesve të minoriteteve. Qeveria shqiptare duhet të dëshmojë me fakte çfarë ka bërë për të garantuar një shërbim publik të hapur dhe transparent. Komisioni vë theksin te rekomandimet e Avokatit të Popullit për qeverinë, teksa kërkon të thuhet se sa nga këto janë marrë parasysh.
Drejtësia dhe korrupsioni
Pyetjet kërkojnë informacion se si është e garantuar pavarësia e sistemit të drejtësisë. Kërkohet informacion për dispozitat ligjore që mundësojnë paanshmërinë e gjykatave. Komisioni kërkon të dhëna mbi procedurat e lënies së imunitetit për gjyqtarët, ashtu sikurse edhe për prokurorët me shembuj konkretë. Sa i takon çështjes së korrupsionit, në pyetësor janë hartuar katër pyetje që kërkojnë informacion mbi studime që flasin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Më tutje qeveria shqiptare duhet të informojë lidhur me të gjitha masat që janë ndërmarrë për parandalimin e këtij fenomeni. Pjesa tjetër e pyetjeve që kanë të bëjnë me kriteret politike përfshin ato mbi çështjet e sigurisë dhe lirive e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›