“Tërbimi i ujërave të Fierzës, për shkak të harbimit të korrupsionit të Priftit”

Kryeministri Berisha duhet të japë dorëheqjen menjëherë pasi të mbarojë gjendja e emergjencës për përmbytjet në veri të vendit. Kjo është kërkesa që bëri pasditen e djeshme kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, Veriun nuk e mbyti Zoti, por robi dhe përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi Kryeministrin Berisha dhe pastaj mbi ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti. Sipas Ramës, Berisha po e çon vendin nga një katastrofë te tjetra dhe nisur nga kjo nuk meriton më t’i drejtojë shqiptarët. Kreu i PS-së i kërkoi gjithashtu Kryeprokurores Ina Rama të nisë hetimin për ngjarjet e ndodhura në Veri. Më herët edhe deputetët e PS-së, Sajmir Tahiri dhe Eglantina Gjermeni, kërkuan ndjeke penale për ministrin Prifti dhe po kështu theksuan gatishmërinë e socialistëve për t’u solidarizuar me banorët e zonave të përmbytura.
Rama
Kreu i socialistëve, Edi Rama, theksoi dje faktin se përmbytjet e ndodhura në veri të vendit kanë si shkaktarë kryesor Kryeministrin Berisha. Sipas tij, Kryeministri dhe pjesa e tjetër e qeverisë nuk arrijnë do ta qeverisin vendin dhe po e çojnë atë nga një katastrofë te tjetra. Dështimet e herëpashershme të mazhorancës, sipas Ramës, nuk mund të jenë faji i mjedisit apo opozitës. “Nuk e ka fajin as Zoti, as opozita për ujin që po përmbyt Veriun. Opozita po u shërben familjeve të përmbytura, duke thënë të vërteta që nuk mund të përmbyten dot me shpifje. Veriun nuk po e përmbyt Zoti, por robi, po e përmbyt korrupsioni”, theksoi Rama, duke akuzuar ministrin Prifti për korrupsion barbar. Sipas tij, prokuroria e drejtuar nga Ina Rama duhet të zgjohej nga gjumi dimëror dhe të niste hetimet për fajtorët realë të ngjarjes. Kreu i PS-së deklaroi gjithashtu se Berisha nuk mund t’i fshihej më kësaj ngjarjeje dhe se ai duhet të jepte dorëheqjen menjëherë pasi të mbaronte gjendja e emergjencës. “Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta katastrofike edhe sikur mediat të mbushen me reportazhe për ngrohjen globale. Për Sali Berishën ora e ballafaqimit me të vërtetën kishte ardhur me kohë, por kjo u vuri vulën përgjegjësive të tij”, theksoi Rama.
Deputetët
Paraditen e djeshme, deputetë të Partisë Socialiste fajësuan ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, për situatën e krijuar në veri të vendit. Nisur nga kjo, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet. “Dritan Prifti duhet të largohet nga detyra jo vetëm se është përgjegjës për këtë që ka ndodhur, por edhe për t’u dhënë siguri banorëve të përmbytur dhe të gjithë shqiptarëve se katastrofa të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”, deklaroi Tahiri. Sipas tij, prokuroria duhet të hetojë rigorozisht shkeljet e bëra me ligjin dhe rregulloren teknike të digave. Po kështu Tahiri theksoi se ngjarja ndodhi si pasojë e babëzisë së qeverisë për të eksportuar energji, duke mbushur digat edhe përtej limitit të lejuar. “Kjo katastrofë nuk është natyrore dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan këto pasoja”, theksoi Tahiri. Po kështu edhe deputetja e PS-së, Gjermeni, akuzoi qeverinë për përmbytjet dhe i ftoi të gjithë socialistët kudo që ndodheshin, të solidarizoheshin me banorët e zonave të përmbytura.