E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Teksas, stuhia mund të jetë katastrofike

Uragani “Ike” ka goditur bregdedin e Teksasit me errëra të forta dhe vërshime ujrash.

Sekretari i Sigurimit Kombëtar, Majkëll Çertof, tha se stuhia ka mundësi të jetë katastrofike dhe i përket kategorisë së uraganeve më të forta.

Shtrirja e uraganit është pothuajse sa e gjithë sipërfaqja e Teksasit, prandaj edhe janë bërë paralajmërime për evakuimin e qindra mijëra banorëve përgjatë Gjirit të Meksikës, nga Teksasi në Luiziana.

Stuhia iu afrua brigjeve mbrëmë me dallgë të fuqishme dhe të larta që i kapërcyen muret mbrojtës të qytetit Galveston, pritat e ujit në Luiziana, pëmbyti shtëpi, bllokoi njerëz në mes të ujit dhe mori me vete një anije transporti jashtë përdorimit në gji.

Qendra Kombëtare e Uraganeve njoftoi se niveli i ujrave mund të ngrihet më shumë se 7 metra e gjysmë, mbi nivelin normal të dallgëve.

Autoritetet paralajmëruan banorët e shtëpive një dhe dy katëshe në Galveston se ishin në rrezik të humbisnin jetën, në qoftë se nuk largoheshin para se stuhia të godiste tokën mbrëmë vonë ose sot në mëngjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›