Zbardhet vendimi i Kuvendit për ligjet me 3/5

Zbardhet vendimi i Konferencës së Kryetarëve për ligjet që kërkojnë shumicë të miratuar në Kuvend. Në mbledhjen e sotme u vendos që këto ligje të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Kuvend në grupe, me kalendarë trejavore, dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor.
Konferenca e Kryetarëve ka kërkuar nga komisionet parlamentare përkatëse të marrin të gjitha masat për organizimin e kalendarit të veprimtarive për rishqyrtimin e projektligjeve, më qëllim përmbushjen e afateve të përcaktuara për shqyrtimin në seancë plenare.
Ndërkohë projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhëshëm parlamentar, me synimin që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.