MASH bllokon rezultatet e Letërsisë
Nxënësit do të njihen me vlerësimin e provimit të Letërsisë pas përfundimit të provimit të Matematikës
Sipas Ministrisë, publikimi i rezultateve përpara provimit të Matematikës mund të ndikojë negativisht tek nxënësit
Agjencia e vlerësimit dhe arritjeve të nxënësve këtë vit e ka shfrytëzuar të gjithë kohën e vënë në dispozicion nga Ministra e Arsimit dhe Shkencës për korrigjimin e testeve të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Në rregulloren për Maturën Shtetërore thuhet shprehimisht se "Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës".
Në këtë rast, vlerësuesit e AVA kanë shfrytëzuar kufirin maksimal të kohës së vënë në dispozicion nga MASH. Sot është data 15 qershor dhe kanë kaluar plotë dy javë nga dita kur maturantët dhanë provimin e parë, atë të Gjuhës dhe të Letërsisë.
Zyra e shtypit e MASH siguron se maturantët do të njihen me rezultate e provimit të parë, pas përfundimit të provimit të Matematikës. Ky vendim argumentohet me faktin se nxënësit duhet të jenë të qetë gjatë zhvillimit të provimit të dytë të detyruar dhe ndonjë notë e papëlqyeshme mund të ndikojë edhe në rezultatet e këtij provimi.
Vlerësuesit e AVA-s, së bashku me përfaqësues të Ministrisë, prej gati dy javësh janë ngujuar në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Shkodër, ku po korrigjojnë mijëra provime të maturantëve.
Rezultatet janë gati, por asgjë nuk do të bëhet publike pa përfunduar provimi i Matematikës. Këta vlerësues nuk do të dalin nga qendrat përpara mesditës së sotme, kohë kur do të ketë përfunduar edhe provimi i dytë i maturës. Në fakt, në këtë stërzgjatje të publikimit të përfundimeve të maturës, ka ndikuar edhe procesi i korrigjimit të testeve.
Skema e përgatitur nga MASH parashikonte korrigjimin e një testi nga dy vlerësues të ndryshëm në dy ditë të ndryshme. Dhe më tej akoma kur përfundimet e këtyre dy vlerësuesve nuk përputheshin, në një ditë të tretë teza korrigjohej nga një vlerësues i tretë, i cili jepte edhe vlerësimin përfundimtar. Në total për vlerësimin e një provimi duheshin deri në tri ditë.
Për ata maturantë, të cilët gjatë provimit kanë përdorur laps në plotësimin e testit nuk do të ketë në notë përfundimtare, pasi, sipas rregullores, provimi do të konsiderohet i pavlefshëm.
Po kështu të pavlefshme janë cilësuar edhe shkrimet ose dëmtimet e kodit të sekretimit (barkodin) të vendosur në test, si dhe rastet kur është dëmtuar testi. Rregulla këto, të cilat nxënësit duhet t'i mbajnë parasysh edhe gjatë provimit të Matematikës, pasi janë të vlefshme për gjithë provimet e maturës.
Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar edhe hartimi i provimit të Matematikës hartuar nga specialistë të AVA. Ky test përmban 25 kërkesa, nga të cilat 13 me përgjigje alternative dhe 12 me zhvillim. Për zgjidhjen e tyre nxënësit kanë në dispozicion rreth dy orë e 30 minuta.