Zbardhet vrasja e dyfishte ne Kir te Shkodres
Identifikohen dhe shpallen në kërkim policor autorët e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Kir të Dukagjinit, ku mbetën të vrarë 17 vjeçarja Marije Qukaj dhe gjyshi i saj Kolë Qukaj 70 vjeç. Policia e Shkodrës njofton se janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet V.P 32 vjeç banues në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës dhe shtetasit A.P, 43 vjeç A.P 27 vjeç të dy këta banues në lagjen “Partizani të Shkodrës. Mësohet se ngjarja ka për motive gjakmarrje mes dy familjeve respektivisht familjes Prroni dhe familjes Qukaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2010 kur është vrarë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Kasnec të fshatit Kir të Komunës Pult të Dukagjinit shtetasi Ndoc Prroni, ndërsa për autor ka pasur shtetasin Gjokë Qukaj, i cili është duke vuajtur dënimin me burg për krimin e kryer. Mësohet se 3 autorët janë afruar në vendin ku 17 vjeçarja dhe gjyshi i saj ishin duke punuar, ndërsa pre e sulmit ka qenë 17 vjeçarja, motra e autorit të vrasjes së ndodhur në 2007, por plumbat nuk kanë kursyer as edhe 70 vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Shkodrës. Në ndjekje të autorëve të vrasjes janë vënë forca të shumta të policisë të cilët po punojnë për arrestimin e tyre. Ndaj tre shtetasve rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e kryer në rrethana të cilësuara, e kryer në bashkëpunim”,dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.