E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, bazë për stabilitet të qëndrueshëm”

24-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pret në një takim kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi dje në takimin me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është bazë për një stabilitet të qëndrueshëm dhe standarde evropiane në Maqedoni. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni në drejtim të zhvillimit të demokracisë dhe konsolidimit të institucioneve, ndërsa theksoi se, “për Shqipërinë është me rëndësi të madhe stabiliteti i Maqedonisë”. Si Presidenti Nishani edhe kryeministri Gruevski ndanë të njëjtin mendim se mes dy vendeve tona duhet nxitur më tej bashkëpunimi në fushën ekonomike, turizëm, energjetikë dhe infrastrukturë, dhe se duhet shfrytëzuar pozicioni i favorshëm gjeografik për unifikimin e tregut ndërmjet dy vendeve dhe daljen në tregun rajonal e më gjerë. Kryeministri maqedonas vuri në dukje se qeveria e tij po vazhdon reformat e përgjithshme për të përmbushur standardet evropiane dhe nënvizoi se me përpjekje të përbashkëta dhe dialog po synojnë të sheshojnë diferencat që ekzistojnë në vend në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Maqedonisë. Ndër të tjera, Presidenti Nishani i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë si shembull të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›