Panariti: Forcat politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për 3 ligjet e statusit
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm hungarez, z. Janos Martonyi, gjatë qëndrimit në Berlin.
Ministri Panariti i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve të cilat e kanë bazën në një histori të gjatë raportesh miqësore ndërmjet të dy popujve.
Ai vlerësoi mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë gjatë viteve të demokracisë dhe veçanërisht ne drejtim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri Panariti theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Ai informoi për ecurinë e deritanishme dhe thirrjet e mazhorancës për miratimin e detyrimeve ne parlament për të përmbyllur procesin e reformave të mbetura nga paketa e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian për marrjen e statusit kandidat në BE.
Ministri Panariti i shprehu homologut hungarez besimin se forcat politike parlamentare në Shqipëri do të dalin përtej agjendave të tyre partiake dhe do të gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e ligjeve të mbetura.
Ministri Martonyi e uroi homologun Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, duke theksuar se Hungaria, ashtu siç ka vepruar historikisht, do synojë forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe do të mbështesë fuqimisht aspiratën e popullit shqiptar për integrim në Bashkimin Evropian.
Ai vlerësoi arritjet e deritanishme në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, duke shtruar njëkohësisht nevojën e shtimit të përpjekjeve për t’i përmbyllur ato me sukses.