Zbatimi i kritereve, Bosnja vlerësohet më mirë se Shqipëria
Arta Tozaj, Bruksel
Ndërsa presin me padurim liberalizimin e vizave, 2 vendet e prapambetura të rajonit në këtë proces, Shqipëria dhe Bosnja, janë kategorizuar ndryshe në performancën e tyre nga Komisioni Europian. Formulimi “duket se vendi plotëson kriteret ...” përbën notën më të lartë që dëshmon përmbushjen e njërit apo tjetrit bllok të udhërrëfyesit. Ashtu siç ishte përsëritur shpeshherë, Bosnja gëzon dukshëm pozicionin e vendit favorit, pasi me këtë formulim vlerësohen 3 nga 4 blloqet e udhërrëfyesit.
“Duket se Bosnjë-Hercegovina plotëson kriteret nën bllokun e parë të udhërrëfyesit”, thuhet në pjesën që flet për sigurinë e dokumenteve. “Duket se Shqipëria plotëson kriteret nën bllokun e parë të udhërrëfyesit”, thuhet në rastin e vendit tonë. Vlerësimi për bllokun e dytë që ka të bëjë me emigracionin ilegal dhe ripranimin thotë: “duket se Bosnjë-Hercegovina plotëson kriteret nën bllokun dytë të udhërrëfyesit”. Në rastin e vendit tonë formulimi është: “duket se Shqipëria i plotëson në përgjithësi kriteret e bllokut të dytë të udhërrëfyesit”. Vlerësimi për bllokun e tretë që ka të bëjë me rendin publik dhe sigurinë thuhet: “duket se Bosnjë-Hercegovina plotëson shumicën e kritereve në bllokun e 3 të udhërrëfyesit”. Në rastin e vendit tonë formulimi është i formës: “duket se Shqipëria plotëson shumicën e kritereve nën bllokun 3 të udhërrëfyesit”. Teksa flitet për bllokun e katërt që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut thuhet se: “duket se Bosnjë-Hercegovina plotëson kriteret nën bllokun katërt të udhërrëfyesit”. Në rastin e vendit tonë formulohet: “duket se Shqipëria plotëson në përgjithësi kriteret nën bllokun 4 të udhërrëfyesit”.
Edhe pse me një lexim të thellë krahasues të dy raporteve vëren se ky vend ka disa mangësi në raport më Shqipërinë, vendi ynë notën më të lartë të Komisionit e gëzon vetëm për bllokun e parë, ndërsa Bosnja shënon mangësi vetëm në bllokun e tretë, atë të sigurisë dhe rendit publik. Kjo pritet të shtyjë Komisionin që, në rekomandimin e tij për liberalizimin e vizave, të kushtëzojë të dyja vendet me misione të tjera ekspertësh për kriteret e paplotësuara.
Situata politike në Bosnjë, por edhe keqardhja për myslimanët boshnjakë si të vetmit të penalizuar nga liberalizimi i vizave me Serbinë, janë disa nga arsyet pse ky vend shihet me përparësi në Bruksel. Për të shmangur një krizë të thellë në Bosnjë, edhe NATO rendi së fundmi duke i ofruar Planin e Veprimit për Anëtarësim, kur dihet se vendi nuk i plotëson të gjitha kushtet për ta merituar. Politikën e karotës synon dhe deklarata e Sarajevës, në takimin e ministrave të Jashtëm në qershor, me lëshimin e mesazhit pozitiv për vizat, përpara zgjedhjeve të vjeshtës në Bosnjë.
Me të gjitha përpjekjet dhe sado i lartë qoftë niveli i përmbushjes së kritereve nga ana e Shqipërisë, një pjesë e mirë e vendeve anëtare mendojnë se falë situatës së krijuar në Bosnjë, mund të përfitojë edhe Shqipëria. Ekzistojnë dhe parashikime famëkeqe, sipas të cilave, Bosnjës mund t’i hiqen vizat përpara Shqipërisë. Këta zëra që qarkullojnë korridoreve të Brukselit mbështeten edhe te dallimi i qartë që është bërë nga Komisioni Europian në formulimin e ndryshëm të arritjeve që kanë shënuar të dy vendet. Megjithëse, skenari më pozitiv për heqjen e vizave për Shqipërinë mbetet vjeshta e këtij viti, përmendja e datës 1 janar 2011, nga përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, por dhe nga vetë autoritetet shqiptare, ushqejnë edhe më tej zërat për diferencimin në këtë proces jo vetëm të dy vendeve, por dhe të kohës se kur do të përfitojnë nga heqja e vizave.
#