E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulla të reja për master dhe doktoraturë

Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, kreditet që duhet të plotësohen sipas “qitapit” të ri legjislativ

Programet e studimeve Master i Nivelit të Dytë ofrojnë arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional dhe realizohen me jo më pak se 60 kredite për një periudhë jo më pak se një vit. Në planin mësimor përcaktohen edhe kreditet për çdo veprimtari formuese, si dhe karakteristikat e tezës së diplomës. Studentët merren në provim nga të paktën dy pedagogë, njëri prej të cilëve duhet të jetë i brendshëm. Komisioni përcaktohet nga titullari i lëndës, i cili përgjigjet dhe ndjek zhvillimin e provimit. Studenti ka të drejtë të rishikojë një notë gjatë çdo viti akademik. Të gjitha këto rregulla, nga pranimi deri te nënshkrimi i diplomës për studentët e Universitetit të Tiranës, janë përcaktuar qartë, renditur në rregulloren e miratuar javën e kaluar nga strukturat vendimmarrëse. Një nga pikat e panjohura më parë që njeh kjo rregullore ka të bëjë me njohjen e provimeve në universitetet e huaja. “Studenti që shkëputet në kuadrin e projekteve e programeve ndërkombëtare, në të cilat Universiteti i Tiranës ka marrëveshje, lirohet nga detyrimet e frekuentimit parashikuar nga kjo dispozitë. Atij i njihen provimet e dhëna jashtë shtetit për lëndët e ngjashme dhe me kthimin në atdhe duhet të shlyejë detyrimet për lëndët e tjera”, thuhet në rregullore.

Mbrojtja e diplomës MND

Sipas rregullave të miratuara nga UT-ja, diploma mbrohet pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve që parashikon plani mësimor, para një jurie e përbërë prej të paktën dy pedagogë dhe një oponenti, të propozuar nga përgjegjësi i departamentit përkatës dhe miratuar nga dekani i fakultetit.
Procedura e mbrojtjes përfshin një paraqitje të përmbledhjes së punimit të diplomës, paraqitje e vlerësimit nga udhëheqësi i saj, pyetje dhe përgjigje, si dhe vlerësimin e jurisë.

Vlerësimi i punimit të diplomës bëhet me sistem pikëzimi, i cili detyrimisht kthehet në notë. Kandidati që rrëzohet në mbrojtjen e diplomës ka të drejtë të riparaqitet për mbrojtje vetëm një herë, në një datë të caktuar nga dekani i fakultetit, por jo më parë se 6 muaj nga rrëzimi. Për çdo fushë diplomimi, departamenti brenda 1 muaji nga dita e fillimit të vitit akademik, u bën të njohur studentëve të vitit të fundit tezat e diplomave.

“Në përfundim të programit të studimeve të nivelit të parë, për fitimin e diplomës parashikohet përgatitja e një teze diplome ose punimi të pavarur, sipas specifikave të njësive kryesore dhe të përcaktuar në rregulloren e brendshme të tyre”, thotë rregullorja e UT-së. Për fitimin e diplomave të nivelit të dytë DND, MNP dhe diplomës së integruar të nivelit të dytë DIND, parashikohet përgatitja e një teze diplome, të përpunuar në mënyrë krijuese e të pavarur nga studenti.

Diplomimi

Nenet që përcaktojnë Diplomimi bëhet në tri sezone: sezoni i dimrit, sezoni i verës dhe sezoni i vjeshtës. Kandidati diplomant, i cili rrëzohet në sezonin e parë të mbrojtjes së diplomës, ka të drejtë të riparaqitet për mbrojtje në sezonin e ardhshëm. UT mund të lëshojë diplomë për programe të studimeve jouniversitare dyvjeçare, të natyrës profesionale.

UT mund të lëshojë certifikata për programe të formimit të vazhduar për specializime afatshkurtra.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›