E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, sot sërish takime në Bruksel

beBruksel- Pas bisedimeve të së martës, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë arritur të afrojnë qëndrimet rreth një plan zbatimi të marrëveshjes të arritur kohë më parë me styre, duke lënë përsëri një takim të dytë ditën e mërkurë për të vazhduar bisedimet.

Duke folur pas këtij takimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka udhëhequr delegacionin kosovar në takim, ka thënë se pa një plan të zbatimit, marrëveshja është zero:

Të dy palët i kemi shprehur qëndrimet tona dhe nesër mendoj se zoti Gentilini do të na e paraqes neve një projekt plan të ri sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të, ka thënë Kuçi.

Kuçi nuk ka dashur ti komentojë akuzat që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës për atë që Serbia e quan mungesë të fleksibilitetit nga ana e Prishtinës. I pyetur për këtë, Kuçi ka thënë:

Nuk dua ta akuzoj askënd, ne jemi këtu për të arritur planin e zbatimit dhe jo për negociata tjera, por për marrëveshjen që kemi arritur. Ata duan të arrijnë diçka përtej marrëveshjes apo ndoshta një marrëveshje tjetër, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, transmeton gazeta “Zëri”.

Ndonëse nga ana e BE-së, nuk kanë patur prononcime zyrtare lidhur me rrjedhën e takimit të së martës. Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriç, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje jetike, të cilat deri më tani nuk janë përfshirë në marrëveshje.

Ai ka thënë se nëse arrihet marrëveshje apo jo, varet më së shumti nga fleksibiliteti i palës së Prishtinës, dhe ka thënë se pala evropiane, ka pasur mirëkuptim për kërkesat e Serbisë dhe në këto takime.

Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së, kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për ti dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin. Por, burime të BE-së kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›