Zbatimi i marrëveshjes, dy delegacionet takohen sërish sot në Bruksel
Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen sërish sot në Bruksel për të rënë dakort për zbatimin e marrëveshjes së arritur kohë më parë nga dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç.
Takimi i djeshëm përfundoi pa marrëveshje ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi theksoi se sot pritet që delegacioneve t`u paraqitet një plan zbatimi.
Të dy palët kemi shprehur qëndrimet tona dhe nesër (sot) mendoj se z. Gentilini do të na paraqes një projekt plan të ri sa i përket planit të zbatimit dhe shpresoj që do të diskutojmë për të ka theksuar dje Kuçi pas takimit.
Ai po ashtu ka thënë se pa një plan të zbatimit, marrëveshja është zero. Kuçi nuk ka dashur ti komentojë akuzat që ka bërë pala serbe ndaj delegacionit të Kosovës për atë që Serbia e quan mungesë të fleksibilitetit nga ana e Prishtinës.
Nga ana e BE-së nuk kanë dashur zyrtarisht të prononcohen lidhur me rrjedhën e takimit të së martës.
Pala serbe ka dhënë disa ide të reja, sipas të cilave duket qartë se palët nuk janë shumë afër pajtimit.
Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Duric, i cili udhëheq delegacionin serb në këtë takim, ka thënë se Serbia kërkon që të diskutohet në nivel të lartë politik edhe për disa çështje jetike, të cilat deri më tani nuk janë përfshirë në marrëveshje.
Ai, në këtë aspekt, ka përmendur pozicionin e Kishës Ortodokse serbe, çështjen e pasurisë, si dhe kushtet e integrimit të serbëve nëpër institucionet e Prishtinës.
Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për ti dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin.
Burime të BE-së kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë. Pala kosovare kohë më parë ka bërë të ditur se pret që të arrihet një pajtim për planin e zbatimit të marrëveshjes, dhe ai plan, së bashku me marrëveshjen, do të duhej të nënshkruhej nga të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciç