E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbogar: Kosova, plan për veriun

Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë planin për veriun sa më parë që është e mundur. Për këtë çështje duhet të ketë dy palë negociata me Serbinë dhe me serbët e veriut. Jo gjithkush atje është kriminel. Kritikat ndaj EULEX-`it janë të padrejta. Korrupsioni është problem i madh në Kosovë, por shpresoj se do të vijë dita kur peshqit e mëdhenj do të burgosen, thotë Samuel Zbogar, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Unë provoj të shikoj drejt të ardhmes dhe se si situata mund të bëhet më mirë. Unë mendoj se askush nuk është i lumtur me situatën e cila ekziston. Shoh në Prishtinë shumë frustrim për shkak të situatës dhe shoh se edhe njerëzit që jetojnë në veri janë të frustruar dhe të palumtur me situatën se si është. Askush nuk ka dëshirë të jetojë në frikë konstante apo pasiguri se çka do të sjellë dita tjetër”, thotë Zbogar për Express.
“Kur kam vizituar veriun, kam folur me njerëz dhe me shoqërinë civile atje, dhe mund ta ndjesh ndjenjën e parehatisë që ekziston atje. Çdokush do të dëshironte një jetë normale, një punë, familje dhe jo të merren me gjithë këto çështje politike. Dhe natyrisht që edhe në Prishtinë shoh që njerëzit nuk janë të lumtur me situatën se si është në veri. Dhe unë mendoj se kjo është pika nga ku duhet të nisemi, ku shohim se askush nuk është i lumtur me situatën se si është!.
Zbogar thekson se është obligim i të gjithëve, pikësëpari i institucioneve të Kosovës, që të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Për këtë nevojitet punë e madhe, sepse kjo sipas tij nuk është diçka që mund të zgjidhet lehtë.
“Ne i kemi bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përgatisë një agjendë për veriun. Ne vetë jemi duke menduar se si të ndihmojmë në krijimin e besimit sepse nga aty duhet të nisemi, që tani nuk ka”, thotë Zbogar

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›