Zbrazët pa Ferizin
Ditë më parë, pas ligjëratës së tij në Akademinë Evolucion, në Prishtinë, kritiku i njohur i artit pamor, Mustafa Ferizi, pësoi nga një fatkeqësi komunikacioni, afër lagjes Emshir. Ai nuk mbijetoi, por vepra e tij gjithsesi.
Mustafa Ferizi ka pasur shumë ekspozita personale, dhe shumë të tjera kolektive në vend dhe jashtë tij. Veç kësaj, Ferizi ishte ndër më të përkushtuarit në fushën e kritikës së artit pamor.
“Ishte një kritik i artit, që shkroi shumë shkrime për artistë shqiptarë. Është kjo një humbje e madhe për botën e artit dhe të kritikës së artit në Kosovë. E në veçanti, kur dihet se sa të rrallë janë ata që merren me shkrime kritike për artin në Kosovë”, thotë Penesta Dika, historiane e artit.
Njësoj, edhe Valbona Rexhepi, kryetare e Këshillit të Galerisë së Arteve të Kosovës, duke qenë shumë e afërt me veprën e të ndjerit, pohon se Ferizi ishte ndër kritikët e rrallë të mirëfilltë të artit pamor që kishte Kosova.
“Ai, jo vetëm që është marrë me kritikë, por ka qenë edhe bashkëpunëtor shumë i ngushtë me Galerinë”, nënvizon Rexhepi.
Ajo thotë se, falë këtij bashkëpunimi Ferizi shpeshherë ka shkruar parathënie dhe tekste për ekspozitat shumë të rëndësishme të organizuara në Galerinë e Arteve. E gjithashtu, shumë herë ishte edhe kurator i atyre ekspozitave.
“Jo vetëm Galeria do ta ndjej mungesën e madhe të Mustafa Ferizit, por edhe i gjithë komuniteti artistik i Kosovës”, u shpreh Rexhepi.
E ikja e Ferizit sigurisht se do t’iu mungojë shumë edhe emisioneve televizive dedikuar artit, që kryesisht realizoheshin në kuadër të RTK’së. Ato megjithatë mbesin një dëshmi e rëndësishme e kulturës, por edhe të kuptuarit të krijimtarisë artistike të Ferizit.
Ndërkohë, një telegram ngushëllimi familjes Ferizi i dërgoi edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Memli Krasniqi.
“Artistët, dhe krijuesit si Mustafa, asnjëherë nuk ikin përgjithmonë, meqë pas tyre ata i lënë vlerat e përhershme, të cilat shënojnë
periudha të tëra të historisë së artit ndër ne dhe kudo në botë.
Ndaj dhe Ju lus që të pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta me rastin e humbjes së familjarit tuaj, mikut të madh të të gjithë artistëve, krijuesit dhe njërit prej themeluesve të kritikës”, nënvizohet në telegramin ngushëllues të dërguar nga ministri i MKRS’së, Memli Krasniqi.
“Lajmi për shuarjen e Mustafës, na ka prekur rëndë të gjithëve. Mjedisi ynë kulturor ka humbur një zë kritik, me të vërtetë të veçantë. Mustafa Ferizi bashkëjetoi dekada me radhë me krijimtarinë artistike te ne”, thuhet, mes tjerash, në telegramin ngushëllues që familjes Ferizi ia drejtoi Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,
“Duke shprehur edhe një herë konsideratën tonë të lartë për jetën dhe veprën e Mustafa Ferizit, juve si bashkëfamiljarë, ju lusim që të gjeni forcë për ta përballuar dhembjen”, thekson tutje Mustafa.
Ndryshe, me rastin e vdekjes së profesorit, Mustafa Ferizi, Akademia Evolucion, të martën organizon një mbledhje komemorative, në kinemanë ABC në Prishtinë, nga ora 10:15, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet po ashtu sot (e marte) në varrezat e qytetit të Prishtinës.