Zbret sot në këshillin bashkiak buxheti i Tiranës për vitin 2010
15/01/2010 Miratimi në parim i buxhetit ligjërisht duhej bërë në mbledhjen e muajit dhjetor, që nuk u zhvillua
Këshilli bashkiak i kryeqytetit më në fund do të marrë në shqyrtim buxhetin e “harruar” të Bashkisë së Tiranës për vitin 2010. Sipas ligjit, detajimi dhe miratimi në parim i buxhetit duhej të ishte bërë që në mbledhjen e muajit dhjetor, e cila për arsye që nuk dihen nuk u zhvillua (në kundërshtim me ligjin). Pavarësisht të gjitha afateve të tejkaluara, ky buxhet pritet të detajohet gjatë mbledhjes së sotme, ku përfaqësuesit e Bashkisë që e kanë hartuar do të detajojnë zërat e ndarjes së fondeve që do të shkojnë për zhvillimin e kryeqytetit gjatë vitit 2010. Ndërkohë deri më sot ende nuk është bërë transparente asgjë nga përmbajtja e këtij buxheti në lidhje me projektet apo investimet që do të zhvillohen në kryeqytet gjatë këtij viti. Maxhoranca e këshillit, në përbërje të së cilës tashmë janë këshilltarët e së djathtës dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë pohuar se pengesë për shqyrtimin e buxhetit është bërë vonesa e Bashkisë në dorëzimin pranë këshillit bashkiak të përmbajtjes së detajuar financiare që është planifikuar për rehabilitimin e zonave të caktuara në kryeqytet. Por ky fakt është mohuar nga përfaqësuesit e Bashkisë, të cilët kanë pohuar se projektbuxheti i është kaluar këshillit që në mesin e muajit dhjetor. Shkelja e afateve ligjore për miratimin e buxhetit të Tiranës për 2010-n do të pasohet me ndikime negative në realizimin e investimeve të planifikuara në kryeqytet, pasi këto vonesa do të reflektohen edhe në zhvillimin e tenderave për projektet e ndryshme.
Me probleme të shumta është shoqëruar edhe miratimi i buxhetit të kryeqytetit për vitin që sapo lamë pas. Pas debateve dhe konflikteve të njëpasnjëshme në lidhje me përmbajtjen e zërave të buxhetit, këshilli bashkiak nuk ka pranuar miratimin, duke tejkaluar limitet kohore të përcaktuara sipas ligjit për miratimin e projektbuxhetit. Më pas çështja i ka kaluar prefektit të Tiranës, ku është bërë dhe padi gjyqësore për formën e hyrjes në fuqi të buxhetit të 2009-s.
Mbledhja e fundit e këshillit bashkiak është zhvilluar gjatë muajit nëntor, ku është kërkuar dorëzimi i detajuar i projektbuxhetit të vitit 2010 nga përfaqësuesit e këshillit. Sipas ligjit, një tjetër mbledhje duhej të ishte zhvilluar gjatë muajit dhjetor, e cila nuk u bë për shkak të përplasjeve të grupeve përbërëse të këshillit. Si pasojë e këtyre vonesave, diskutimi dhe shqyrtimi i përmbajtjes së buxhetit do të bëhet në mbledhjen e sotme, edhe pse janë tejkaluar afatet ligjore.