E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaban Hadëri, lamtumira për skulptorin

15/01/2010  Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, ndërsa sot do të përcillet mes nderimesh për në banesën e fundit. Skulptori Shaban Hadëri, i njohur si bashkautor i monumentit të Pavarësisë në Vlorë dhe veprave të tjera të njohura si “Pesë Heronjtë e Vigut” mbylli sytë ditën e djeshme. Realizues i dhjetëra figurave heronjsh dhe historike, u shqua që herët për talentin e tij gjë që bëri të vazhdonte studimet në Lice dhe më pas në Petërburg, Rusi. Ndër të parët që mori titullin “Artist i Popullit”, një ndikim të madh në formimin e tij patën emra si: Odise Paskali, Kristaq Rama, apo Mumtaz Dhrami. Autor i bustit të Enver Hoxhës, emri i tij është i lidhur edhe me realizimin e të tjerë busteve si ai i Nënës Shqipëri tek Varrezat e Dëshmorëve apo Monumentin e Pavarësisë realizuar bashkë me Kristaq Ramën e Muntaz Dhramin, “5 heronjtë e Vigut”, “Isa Boletini” në Shkodër, “Tre heronjtë” ( Skulpturë mbrojtje diplome në Petërburg) apo skulptura “Luftëtari i lirisë”. Laureat i çmimit të Republikës, homazhet për nder të Hadërit do të zhvillohen sot nga ora 11:00 deri në 12:00 në Galerinë e Arteve në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›