E Diel, 1 Nëntor 2026

I panjohur fati i 22-vjeçarit fierak

Levan
Historia e të sëmurit mendor që mbahej i lidhur me zinxhir

Fatmir Rasho, 22-vjeçari nga Levani, i cili u lidh me zinxhir nga gjyshërit e vet pasi ishte agresiv si pasojë e sëmundjes mendore, nuk i dihet fati. Të paktën kështu janë të dhënat që japin fqinjët e tij, por edhe drejtuesit e Komunës Levan.
Në lagjen “1 Maj” të Levanit ku janë përqendruar familjet rome jeton edhe familja Rasho. Kryefamiljari Kamberi dhe bashkëshortja e tij kanë ditë që janë larguar. Kështu të pohojnë fqinjët e tyre. Shumica e shtëpive në këtë lagje rome nuk kanë “kufi” gardhi mes njëra-tjetrës. Kjo ka bërë që komuniteti me afro 500 banesa të zotërojë pothuajse të gjitha problemet e fqinjit. Edhe Refiti është një rom fqinj me familjen Rasho.
Ai thotë se që nga mesi i muajit dhjetor Kamberi dhe plaka e tij, por edhe nipërit, Fatmiri dhe vëllai i tij janë larguar.
Asnjë nuk di se ku ka shkuar familja në fjalë. Ajo që pohojnë banorët e lagjes lidhet me daljen nga spitali psikiatrik i 22-vjeçarit Fatmir Rashos. Shumë të bindur banorët thonë se e kanë parë atë gjatë festave në Levan. Por, kryetari i komunës së Levanit, Agim Qjevani, në fillim nuk jep asnjë përgjigje për fatin e qytetarit. Pasi pyet nëpunës të administratës së tij, kryekomunari thotë se “disa e kanë parë dhe të tjerë jo. Zyrtarisht nuk jam marrë për çështjen në fjalë”. Kryetari i Komunës Levan, Agim Qejvani, pohon gjithashtu se në komunën e tij nuk është ngritur ende zyra e shërbimit social. Një vendim i Ministrisë së Punëve, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në korrikun e vitit të kaluar urdhëronte njësitë vendore për ngritjen e shërbimit social, që do të trajtonte mes të tjerave edhe raste si ato të 22-vjeçarit. E kjo zyrë nuk njihet as nga kryetari i komunës, i cili vulos edhe fatin e paditur të bashkëqytetarit të vet, Fatmir Rasho. Nga ana tjetër, në Prokurorinë e Fierit çështja në ngarkim të gjyshit të 22-vjeçarit të sëmurë mendor, Kamber Rashos, është ende nën hetim. Në kancelarinë e prokurorisë të pohojnë zyrtarisht se çështja në fjalë as është pushuar dhe as i është drejtuar gjykatës, ajo është në hetim e sipër. Po ashtu të pohohet fakti se prokuroria ka marrë më shumë se 4 herë në pyetje Kamber Rashon, i cili po ndiqet penalisht për heqjen e padrejtë të lirisë së tjetrit. Komuniteti rom dhe familja Rasho kanë reaguar pas padisë së ngritur ndaj të moshuarit Kamber Rasho. Ata kanë thënë se nipi i tij ishte agresiv, ndaj detyroi familjarët që ta izolonin duke e lidhur me zinxhir.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›