E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagim për artikullin në gazetën Shqip

Sondazhi i OBSH: 74% pro të drejtave për të sëmurët mendorë
Publiku shqiptar duket se është i ndjeshëm ndaj të drejtave të personave me sëmundje mendore, pasi ai pranon (89% e publikut) se në shoqërinë tonë ka shumë paragjykime për personat me probleme të shëndetit mendor. Sipas një studimi të kryer nga OBSH për qëndrimet e publikut ndaj shëndetit mendor në Shqipëri, në vitin 2009, duket se 74% e publikut beson se personat me probleme të shëndetit mendor duhet të kenë të njëjtat të drejta me gjithë personat e tjerë. Të qarkullosh lirshëm nëpër rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë është një e drejtë themelore e çdo qytetari. Pretendimi se personat me sëmundje mendore nuk duhet të qarkullojnë lirshëm jo vetëm që cenon të drejtat civile të lëvizjes së lirë, por edhe nuk mbështetet nga asnjë e dhënë, e pranuar shkencërisht, se sëmundja mendore është burim i kriminalitetit shoqëror e për rrjedhojë bartësit e saj do te duhet të izoloheshin.
Përkundrazi ekzistojnë të dhëna që provojnë se më tepër se sa agresorë, personat me sëmundje mendore janë viktima të sjelljeve agresive për shkak të dëmtimit të funksionimit shoqëror dhe të kujdesit për veten. Të dhëna botërore bashkëkohore pranojnë se vetëm 5% e të gjitha krimeve të dhunshme kryhen nga persona me çrregullime psikotike, çka nuk sugjeron shërbime masive izoluese, por shërbime të posaçme të specializuara nën autoritetin e organeve të drejtësisë.Thirrjet e vazhdueshme nga grupime të caktuara të publikut, përfshirë edhe median, mbi nevojën për të mbyllur, veçuar e larguar personat me sëmundje mendore burojnë nga perceptime të pavërteta e të shtrembëruara mbi rrezikshmërinë shoqërore. Këto perceptime konsiderohen sot si të vjetruara dhe i përkasin një epoke kur njohuritë e pakta shkencore mbi sëmundjet mendore, shkaqet, simptomat dhe trajtimin e tyre dominoheshin nga besëtytnitë dhe frikërat qe shkaktonte e panjohura.
Sot, me përparimin e shkencave mjekësore, psikologjike dhe shoqërore, ekzistojnë njohuri të bollshme që provojnë se sëmundjet mendore janë të trajtueshme, dhe se ecuria më e mirë e tyre realizohet kur trajtimi ofrohet nga shërbime komunitare dhe jo nga shërbime të përqendruara jashtë komunitetit siç janë spitalet psikiatrikë tradicionalë. Për këtë arsye, edhe politikat shqiptare të shëndetit mendor, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe me politikat e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, orientohen drejt ngritjes së shërbimeve të specializuara sa më pranë komunitetit dhe pasurimit të rrjetit të shërbimeve edhe me lloje të reja siç janë shtëpitë e shëndetit mendor, qendrat komunitare, qendrat ditore, mjekësia familjare, etj. Përgjigjja, pra, për problemet që ngrihen në drejtim të shëndetit mendor të popullatës nuk është tek shërbimet izoluese, por tek përmirësimi i shërbimeve ekzistuese dhe pasurimi i tyre me personel dhe njohuri bashkëkohore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›