Zbulohen sekretet e Shqipërisë dhe Kosovës në Arkivat Rusë
Dokumente të pa publikua, stenogramet e takimeve të Stalinit me Titon, bisedat e bëra mes përfaqësuesve të Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë; si dhe vizita e Enver Hoxhës në Beograd për çështjen e Kosovës, dhe letra e Hoxhës drejtuar Stalinit, japin një pamje mjaft reale për lojërat politike të bëra nga sovjetikët dhe jugosllavët
Vitet e fundit janë hapur shumë debate mbi çështjen se cili ishte roli i shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës në fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore, por dhe për marrëdhëniet e Jugosllavisë dhe Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitet 1948-1962. Libri “Shqipëria dhe Kosova në Arkivat Rusë” sjell për herë të parë dokumente të publikuara më parë, që synojnë të tentojnë të japin një pamje rreth marrëdhënieve të vendeve të kampit komunist për pretendimet e tyre në lidhje me çështjen e Kosovës. “Shqipëria dhe Kosova në Arkivat Ruse (1946-1962)”, me autorë Ethem Çeku dhe Hamit Kabashi, përmban raporte, vendime dhe dokumente të botuara, por edhe ato që botohen për herë të parë, të marra nga arkivat rusë, lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë.
Recensuesi Marenglen Verli ka thënë se vëllimi me dokumente ruse që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, të periudhës 1946-1962, është një libër që plotëson një boshllëk të konstatuar prej kohësh. “Dokumentet përmbajnë material të seleksionuar me shumë vlerë për historinë e Shqipërisë për periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo vlerë buron nga fakti se autorët kanë hetuar raporte, vendime e dokumente, që kanë burimin në produktin e organeve të personaliteteve më të larta në të dy vendet, si në rrafshin partiak, ashtu edhe në atë shtetëror diplomatik. Përmes dokumenteve të paraqitura mund të shihet edhe pesha që shihet në Ballkan, veçanërisht Ballkanin Perëndimor, në kuadër të strategjisë së superfuqisë lindore”, tha Verli. Njëri nga autorët e librit, Hamit Kabashi, ka thënë se arkivat e ish-Bashkimit Sovjetik përmbajnë materiale mjaft të rëndësishme për historinë tonë kombëtare. “Në këtë vëllim janë përfshirë dokumente të botuara nga autorët rusë dhe dokumente të pabotuara, të vjela prej nesh në arkivat rusë, por raporti është i zhdrejtë, janë shfrytëzuar disa vëllime që nuk janë botuar më parë- faktori sovjetik në Europën Lindore, janë dy vëllime. Po kështu, është shfrytëzuar një vëllim tjetër që është nga më të rinjtë, por mjaft i rëndësishëm, sidomos për historinë e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, politika sovjetike në vitet ‘50, fillimi i viteve ‘60, është botuar në Selanik të Greqisë në gjuhën ruse”, ka thënë Kabashi. Sipas tij, dokumentet për Kosovën nuk janë në atë masë sa janë për Shqipërinë dhe se ato përfshijnë dokumente mjaft të rëndësishme, sidomos për vitet 1946-‘48, por edhe në periudhat e mëvonshme. Ndërsa sipas autorit Ethem Çeku, dokumentet e përzgjedhura dhe të publikuara në këtë libër do t’u krijojë mundësinë me dinamikën e marrëdhënieve brenda bllokut komunist, dhe në veçanti, trekëndëshit Shqipëri-Jugosllavi-BRSS. Sipas tij, historiografia shqiptare ka nevojë për një rishikim të saj dhe kjo do të plotësohet me botimet që planifikohen të botohen nga studiuesit tanë, të cilët me punën e tyre dhe kërkimet nëpër arkivat botërorë po sjellin gjithnjë e më shume të dhëna të reja mbi historiografinë shqiptare. Edhe ky libër synon të plotësojë historiografinë shqiptare të periudhës së caktuar me fakte dhe dokumentet e ofruara. Këto dokumente ofrojnë dëshmi më të plota, ndërsa interesim të veçantë paraqesin stenogramet e takimeve të Stalinit me Titon dhe qëndrimi i këtij të fundit për çështjen e Kosovës. Bisedat e bëra mes përfaqësuesve të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë rreth vizitës së Enver Hoxhës në Beograd për çështjen e Kosovës dhe letra e Hoxhës drejtuar Stalinit, japin një pamje mjaft reale për lojërat politike të bëra nga qeveritarët sovjetikë dhe ata jugosllavë për fatin e Kosovës dhe të kombit. Sipas dy autorëve, të cilët kanë mundur të “gërmojnë” në arkivat rusë, dokumentet për Kosovën nuk janë në atë masë sa janë për Shqipërinë dhe se ato përfshijnë dokumente mjaft të rëndësishme sidomos për vitet 1946-‘48, por edhe në periudhat e mëvonshme. Libri është botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike i Institutit të Historisë në Tiranë dhe Shtëpia botuese në “Brezi” në Prishtinë.
Përgatiti: A.Tuci