E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtrat e “Balshoit” sjellin shpirtin e baletit rus në Tiranë

Shkolla e madhe ruse e baletit do të zbresë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në një mbrëmje Gala të solistëve të baletit rus. Kjo shfaqje zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shpirtërore Ruse, që do të zhvillohet gjatë muajit shtator në tre qytete kryesore të vendit: Tiranë, Durrës dhe Shkodër, nga Ambasada Ruse në Tiranë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Emrat më të njohur të skenës botërore të baletit rus do të performojnë për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Balerinë të teatrit “Balshoi”, teatrit “Marrinsky” dhe teatrit “Mikhailovski”, si: Galina Denisyuk, Ekaterina Borchenko, Elena Evseeva, Yuri Smekalov, Anton Korsakov, Ekaterina Osmolkina, Maxim Zyuzin, Marianna Ryzhkina, Denis Matvienko, Anastasia Matvienko, Denis Medvedev, Danila Korsuntsev, Mikhail Lobukhin, Sofia Lazutkina, Ksenia Barbashsheva dhe Alexander Taranov sjellin për publikun shqiptar mjeshtërinë e kërcimit rus. “Bukuroshja e fjetur”, “Liqeni i mjellmave” , “Romeo e Xhuljeta”, "Bajadera", “Don Kishoti” etj. etj. janë disa prej pjesëve më të njohura të vëna në skena të ndryshme të botës prej trupës së baletit rus. E pikërisht pjesëza nga këto kryevepra botërore, kërcyer nga mjeshtrit më të mëdhenj të skenës, do të interpretohen në mbrëmjen Gala kushtuar shkollës së madhe të baletit rus. Koncerti Gala i solistëve të baletit rus do të zhvillohet në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, më datë 11 shtator 2011, në orën 19:00. Do të performojnë solistët e teatrit “Balshoi”, si Mikhail Lobukhin, Denis Medvedev, Marianna Ryzhkina si dhe solistët e teatrit “Marrinsky”, si Anton Korsakov, Yuri Smekalov dhe Elena Evseeva.

Filmat më të mirë në javën e kinemasë ruse

Ditët e Kulturës Ruse do të mbyllen me ditët e filmit modern rus, po në Tirane, ku në kinemanë “Imperial” do të shfaqen filmat e kohëve të fundit nga regjisorët më të njohur rus. Java e filmave rusë në Shqipëri do të jetë nga data 21 deri më 25 shtator, ku sipas programit do të shfaqen prodhime të vitit 1998-2010, si “Admirali” (2008) i regjisorit Andrey Kravckuk; “Pushkini, dueli i fundit”, prodhim i vitit 2006, regjia Natalia Bondarchuk; për të vijuar me filmat më të fundit, si “Moska unë të dua ty”, prodhim i vitit 2010, realizuar nga një grup regjisorësh; “Kapriçiozët” (2010), regjia Levon Gabriazde; “Berberi siberian” (2009), me regji nga Nikita Nikhalkov etj. A.Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›