E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zbulohet ferma e kanabisit në Krujë, vihen në pranga dy vëllezërit

Policia e Krujës ka vendosur në pranga 2 vëllezër pasi u janë zbuluar dy ambiente ku kultivonin bimë narkotike.

Gjatë aksionit të policisë janë sekuestruar edhe 268 bimë kanabisi si dhe pajisje të tjera elektrike që shërbenin për kultivimin e drogës në ambiente të mbyllura.

“Zbulohen 2 ambiente të përshtatura me llamba dhe pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e bimëve narkotike.

Sekuestrohen 268 bimë kanabisi, 51 llamba dhe pajisje të tjera elektrike që i shërbenin kultivimit në ambiente të mbyllura.Vihen në pranga 2 vëllezër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ferma e kanabisit është gjetur në fshatin Qerekë të Krujës ku në banesën e shtetasit Sh. H., u “zbuluan 2 ambiente që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura”

Gjithashtu policia ka bërë të ditur se është vendosur në pranga 39-vjeçari, pronar i banesës dhe vëllai i tij 32 vjeç, të dy banues në Krujë.

“Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit Sh. H., 39 vjeç (pronari i banesës) dhe F. H., 32 vjeç (vëllai i pronarit të banesës), të dy banues në Qerekë, Krujë. Shtetasi F. H. ka kryer lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike”, përfundon në njoftimin e saj policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›