E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet fotoja e takimit të rëndësishëm Rama-Obama

Një foto e veçantë është shfaqur dje gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së në qarkun e Tiranës. Në foto shfaqet kreu i socialistëve Edi Rama i cili është takuar me presidentin amerikan Barak Obama. Mësohet se fotoja e Ramës me Presidentin e SHBA-vë Obama është realizuar në tetor të vitit 2012 nga fotografi i Shtëpisë së Bardhë, Pete Souza.

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama udhëtoi drejt SHBA-ve në tetor të vitit që lamë pas, për tre ditë në një vizitë që nuk e anonçoi në kryeqytet. Vetëm pas tre ditësh, ai shkroi në Twitter një mesazh për një takim që pati me Presidentin në detyrë të SHBA-ve Barak Obama.

Ky i fundit nuk ishte në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, por ishte në San Francisko, duke u marrë me zgjedhjet presidenciale, që do të zhvilloheshin në muajin nëntor, ku Obama u shpall sërish president i SHBA-ve për një mandat të dytë.

Takimi u bë publik nga vetë Edi Rama vetëm me një Twitter, por për të nga selia e PS nuk pati asnjë njoftim zyrtar dhe asnjë foto. Pas gati tetë muajsh, dje në prezantimin e kandidatëve për Tiranën dhe hapjen zyrtarisht të fushatës së PS-së, për herë të parë u bë publike dhe fotoja e takimit të tetorit 2012, transmeton shekulli.

Takimi ishte realizuar nga stafi i ngushtë i Obamës kur ai ishte në San Francisko në një nga mitingjet e radhës presidenciale për mandatin e dytë.

Angazhimet e Obamës për kandidimin e tij, e vonuan për më shumë se një muaj sjelljen e kësaj fotoje në selinë e PS. Edi Rama dhe stafi i tij e kishin në dorë këtë foto që në muajin dhjetor, por meqenëse aktualiteti i takimit kishte ikur, u vendos nga strategët e fushatës së PS-së, që foto të dilte në një moment të dytë të veçantë dhe për këtë u zgjodh publikimi në hapjen e fushatës së Tiranës.

Sipas bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës në takimin prej 15 minutash me Obamën, kreu i PS i kishte uruar presidentit amerikan, në atë kohë në periudhë zgjedhjesh, fitoren përpara se ai të hynte në takimin elektoral të San Franciskos.

Nga fotoja duket qartë që dy liderët shfaqen të qeshur, ndërkohë që sipas asaj që vetë Rama shkroi në Twitter, edhe presidenti Obama kishte vlerësuar liderin e PS-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›