E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet mashtrimi i Ramës për “Kurbanin”, reagon Shtëpia Botuese

10-06-2013 / Gazeta 55

Të ardhurat e deklaruara nga Edi Rama nga shitja e librit “Kurban” nuk justifikohen me paratë që i janë dhënë atij nga shtëpia botuese.
Shifrat e të dy palëve sipas burime ve konfidenciale të Tatimeve janë të mëdha. Në dy vite janë rreth 4.9 milionë lekë, të cilat nuk janë tatuar dhe nuk justifikohen si të ardhura nga të dhënat e llogarive të Ramës. 10 për qind e kësaj shume duhet të paguhej si tatim në burim, pranë organeve tatimore, por edhe kjo nuk ka ndodhur, pasi të dhënat tregojnë se 498 mijë lekët nuk janë derdhur në arkën e shtetit.
Deklarata e të ardhurave për vitin 2012 duhet të plotësohej brenda datës 30 prill 2013. Rama e ka plotësuar këtë deklaratë më datë 7 qershor, pas publikimit nga gazeta të kësaj mungese. Kreu i PS akuzoi Postën dhe Tatimet se e kishin humbur qëllimisht formularin e plotësuar nga ai. Sidoqoftë, më datë 7 qershor, deklarata është plotësuar edhe nga Edi Rama. Në vitin 2011, Rama publikon librin “Kurban”.
Midis autorit të librit dhe shtëpisë botuese ka një kontratë të lidhur në datën 05/10/2011, ku përfaqësuese e zotit Rama është zonja Lindita Rama. Në këtë kontratë janë specifikuar përfitimet dhe detyrimet reciproke nga ky bashkëpunim. Në bazë të kësaj kontrate, shtëpia botuese ka derdhur në llogarinë e zonjës Rama shumën prej 2.025.000 lekësh, dhe në llogari të Tatimeve 225 mijë lekë, si tatim 10% në burim.
Për vitin 2012, shtëpia botuese deklaron se ka derdhur në llogari të klientit të saj 1.867.950 lekë, por nuk rezulton të ketë derdhur për llogari të administratës tatimore tatimin në burim prej 10%, në shumën 207.550 lekë, si pjesë e detyrimit prej 10% e tatimit mbi të ardhurat. Për ta qartësuar, shuma që i është derdhur në llogari klientit është zhveshur nga tatimi 10%.
Pra, që nga data e botimit të “Kurbanit”, për dy vitet 2011-2012, shtëpia botuese e ka paguar klientin e saj Rama me një shumë prej 4.325.000 lekësh. Kreu i PS ka të ardhura vjetore nga paga më shumë se 2 milionë lekë në vit. Vetëm kjo e ardhur, sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, e detyron Ramën të plotësojë “Deklaratën vjetore të të ardhurave individuale”.
Në këtë formular, përveç pagës, shënohen edhe të ardhurat e tjera që merr personi gjatë një viti. Në vitin 2011, në deklaratën e plotësuar nga Rama për të ardhurat, krahas pagës janë shënuar edhe 3.4 milionë lekë, si të ardhura bruto të tjera. Në rast se këto para kanë hyrë në llogarinë e Ramës nga shitja e librit, atëherë ka një diferencë të madhe prej 1.150.000 lekësh bruto. Nga 3.4 milionë lekë të deklaruara, shuma bruto e paguar nga shtëpia botuese është vetëm 2.250.000 lekë.
Vetëm detyrimi tatimor, si 10% në burim, në këtë rast është 115 mijë lekë. Në vitin 2012, diferencat mes shumave të deklaruara dhe të ardhurave nga shitja e librit bëhen edhe më të mëdha. Burime konfidenciale nga Tatimet konfirmojnë për gazetën se për vitin 2012 Rama ka plotësuar në formularin e deklarimit të të ardhurave se ka përfituar të ardhura bruto, nga pronësia intelektuale dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta, shumën e 5.914.500 lekëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›