Në 6 muajt e parë ka rënë dukshëm rezerva valutore, rriten rreziqet për çmime të larta
Rezervat valutore të vendit kanë rënë në një masë të ndjeshme dhe kjo ka ardhur për shkak të importeve shumë të mëdha të vendit dhe të deficitit të lartë që ato krijojnë. Gjithashtu, në rënien e rezervës valutore të autoritetit monetar të vendit ka ndikuar edhe dhënia e kredive në pjesën dërrmuese në valutë. Një sërë faktorësh të tjerë ekonomikë më të vegjël që nisnin që nga rënia e eksporteve në disa zëra të ekonomisë e deri te paratë në sasi më të vogël që dërgojnë emigrantët, përmbyllin shpjegimet se pse rezerva valutore ka rënë dukshëm në pjesën e parë të këtij viti, duke u kthyer në një prej problemeve më të mprehta të ekonomisë së vendit. Rënia e rezervës valutore është problematike për ekonominë, sepse ajo rrezikon fuqinë e bankës për të ndërhyrë në treg dhe për të ushtruar detyrën e saj. Rënia e fuqisë valutore mund të sjellë rritje të çmimeve, për shkak se mund të ketë luhatje të konsiderueshme të kursit të këmbimit dhe gjithashtu rënia e rezervës valutore mund të bëjë që fuqia e bankave për likuiditet të bjerë. Në gjendjen aktuale, pavarësisht se nuk shenja të këtyre zhvillimeve, rënia e rezervës valutore mund të kthehet në një shtjellë të vërtetë për sistemin financiar të vendit dhe për ekonominë në tërësi. Ka shumë kohë që deficiti tregtar i vendit është shumë i lartë dhe thellohet çdo muaj dhe po ashtu ka shumë kohë që prodhimi vendas është mjeran para importeve. Një lajm edhe më i keq mbërriti nga Banka e Shqipërisë, e cila tha se prodhuesit me fason domethënë me mall të porositur, të cilët japin 62 për qind të totalit të eksporteve kanë pësuar rënie të mëdha gjatë pjesës së parë të vitit të vitit, eksportet e tyre kanë rënë me 11 për qind, në një kohë që ekonomia pret kahje tjetër të eksporteve. Kreditë në pjesën më të madhe janë në valutë dhe jo të gjitha ato përdoren për investime, por vetëm një pjesë e vogël. Një pjesë e tyre del jashtë vendit për arsye të ndryshme, duke u kthyer në një element shtesë të rënies së rezervës valutore të vendit. Banka Qendrore në vend ka marrë disa herë masa për të mundësuar kthimin e parave drejt bankave, duke rritur normën e interesit, por, megjithatë, këto masa nuk kanë ndalur ritmin e mëhershëm të dhënies së kredive. Masat Banka e Shqipërisë i ka marrë nën presionin e rritjes së çmimeve dhe të inflacionit dhe mund të thuhet se në njëfarë mënyre ato kanë shërbyer në arritjen e këtij qëllimi. Një masë e Bankës Qendrore mund të ishte rritja e rezervës së detyruar të bankave dhe kjo do të luante më mirë rolin e mbajtjes në kontroll të inflacionit, por, në anën tjetër, nuk do të shtrenjtonte kreditë. Kjo mund të ndihmonte dhe në rezervën valutore.