E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni nuk është sëmundje Dr.Berisha

Petrit Vasili 

Berisha gaboi më në fund edhe si mjek. Në vështirësi të madhe nga korrupsioni që në vitet e sundimit të tij po galopon, ai ju kthye keqas mjekësisë dhe ashtu si ndonjë koleg i yni kur dështon të gjejë sëmundjen e vërtetë dhe ndjek nga pas ndonjë diagnozë fantastiko-shkencore të paqenë, ashtu edhe Dr.Berisha i dha karar ta quajë sëmundje korrupsionin që e ka vënë atë për fundi.
Krahasimi me një sëmundje dhe shprehjet metaforike të shpeshta, që e lidhin atë me sëmundjen, janë në thelb një mundësi që Berisha përdor për t’u përpjekur të çlirohet prej saj dhe për të dalë nga situata. Duke lidhur atë me fatalitetin e prekjes nga një sëmundje, ai përpiqet në mënyrën më të keqe që të ndërtojë në këtë mënyrë edhe alibinë në dukje të fortë sipas të cilës “s’ke ç’bën kështu është shkruar, korrupsioni është një sëmundje”.
Edhe spoti më i fundit, ku Berisha aktron në mënyrë butaforike dhe në ankth, i bindur për dështimin dhe ngordhjen e kalit të tij të betejës të luftës antikorrupsion, duke vjedhur sërish edhe me spotin, në mënyrë korruptive paratë tona si taksapagues. Spoti promovoi se korrupsioni që ka kapur për fyti Berishën është pasoja e një morali të shprishur keqas dhe që po rrënon republikën, duke filluar nga përçudnimi dhe deformimi i kushtetutës së saj e deri vjedhja e çdo pëllëmbë toke për afera ndërtimore. Krahasimet thellësisht demagogjike të korrupsionit me viruse, kancere e metastaza, sindromë etj., provuan vetëm nivelin intelektual, dëshpërues e mediokër të maxhorancës që qeveris vendin, por edhe mjekun tonë kryeministër e vunë në pozitën më të keqe të mundshme, sepse së paku ai e di mirë se korrupsioni që e ka mbërthyer nuk ka lidhje me asnjë sëmundje.
Thelbi i çështjes është tepër larg krahasimit të shpërdoruar me patologjitë mjekësore, ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me moralin e shprishur të politikës në përgjithësi dhe kësaj shumice moralprishur në veçanti, të cilës kryeministri mjek po përpiqet t’i gjejë shfajësimin, duke e quajtur të sëmurë nga korrupsioni.
Morali i shprishur i përvetësimit të arritjeve të tjerëve, i përdorimit pa moral të gënjeshtrës publike në formën e premtimeve gjithfarësoj, i shkeljes pa mëshirë mbi moralin dhe personalitetin e të tjerëve, kanë qenë këto elementet thelbësore që kanë çimentuar bazën e fëlliqur njerëzore ku korrupsioni ka gjalluar dhe ku mbi të cilat është ngritur ardhja në pushtet e kësaj shumice dhe të këtij Berishe aktor të një spoti të lodhur të moralit.
Ata që i kultivuan më mirë dhe me pa skrupull se kushdo këto fenomene thellësisht degradante për shoqërinë shqiptare u etiketuan si politikanë tepër të zotë, si “lojtarë të mëdhenj të vërtetë”, që dinin ta vërtitnin nga të gjitha anët dhe ku shpifjet e Berishës ishin për disa kryevepra e kësaj loje.
Por realiteti kokëfortë i gjërave në Shqipërinë postkomuniste provoi pikërisht të kundërtën. Këta “qiftere” të pisllëkut shoqëror të veshur me koracën e politikanit nuk bënë asgjë tjetër përveçse kultivuan një sistemin korruptim, i cili është i vetmi që ka shënuar “arritje” të njëpasnjëshme sidomos pas vitit 2005, aq sa e kanë detyruar Berishën të bëhet aktor teatri në pleqëri e të aktrojë nëpër spote.
Shndërrimi në moral i korrupsionit, për aq kohë sa në mënyrë thellësisht sarkastike edhe korrupsioni mund të quhet moral, që bombardimi më i rëndë që mund t’u bëhej ilumizimit të ideve dhe moralit të ndryshimit dhe evropianizimit të lindur në Shqipëri pas viteve ‘90.
Kjo shprishje morale e predikuar si fatalitet që e bie gjoja vetë kapitalizmi, duke e përdorur këtë të fundit si alibi ishte në fakt edhe ngritja e bazave të justifikimit të pamundësisë së luftimit të tij që në ditët e sotme kur qeveris Berisha, është shndërruar në një mynxyrë publike, që ka hyrë në çdo qelizë të jetës publike.
Investimi moral do të ishte në këtë moment një investim i mirë, por thellësisht i pamjaftueshëm në luftën ndaj korrupsionit.
Trajtimi i problemit të parakuptuar të zyrtarëve që apriori janë të gjithë hajdutë dhe përpunimi i masave dhe mjete që ruajnë këta hajdutë për të mos kryer paudhësitë e tyre, është sa naiv aq edhe kriminalizues.
Në qoftë se zgjedhësve shqiptarë u induktohet të mësohen me idenë se ata zgjedhin thjesht hajdutët e radhës dhe ku këta hajdutë të rinj kuotohen në bursën e politikës si ata që vjedhin më pak, do të thotë që proceset zgjedhore nuk zgjidhin problemin, por kryejnë vetëm krimin politiko-shoqëror të radhës.
Investimi në njerëzit me integritet dhe moral të qëndrueshëm është i vetmi investim i madh dhe kohëgjatë për shoqërinë në të cilin jetojmë. Cilido mekanizëm kontrolli survejimi dhe terrorizimi i administratës politike e civile të të gjithë niveleve përfshi edhe kryeministrin, nuk mund ta zgjidhë problemin. Në Shqipëri, si në të gjithë botën, janë akuzuar për korrupsion e abuzim me detyrën kryeministra e presidentë. Vetëm morali i atyre që kanë qenë edhe moralisht të pastër, ka triumfuar edhe mbi akuzat dhe insinuatat.
Është fakt, pra që edhe ata që çirren e ulërasin si garantë të luftës ndaj korrupsionit e ku Berisha nuk mungon të jetë simboli i kësaj kategorie, duhet të shohin më së pari mirë moralin e tyre dhe të atyre që i rrethojnë, sepse kanë qenë ata promotorë të një korrupsioni galopant.
Asnjë ulërimë nuk mund të imponojë mendimin dhe gjykimin e publikut të gjerë. Vetëm puna dhe mosimplikimi në Gërdec dhe afera të frikshme ndërtimore në shkelje të e përdhunim të plotë të ligjeve, që ky shtet ka, janë provat e pakundërshtueshme të pastërtisë apo jo edhe të kryeministrit të spotit tonë, të gjatë moralist.
Jashtë dhe tutje fatalitetit të sëmundjeve dhe krahasimit me to, korrupsioni është reflektimi me elokuent i moralit të shprishur korruptiv që tashmë është një realitet dominant i Shqipërisë së sotme të Berishës.
Shprishja dërmuese, degraduese, korruptive morale që është stabilizuar në pushtetin e Berishës dhe lehtësia e saj për t’u ngjitur në majat e shtetit, është vërtet e frikshme dhe deziluzionuese.
Korrupsioni a është një sëmundje, pra një fatalitet? Jo aspak. Shqipëria dhe njerëzit e saj janë shumë më të mëdha se spoti i Berishës dhe i asaj sëmundje të re që ai gjeti e që nuk gjendet në librat e mjekësisë, që quhet korrupsion. Por për një sekondë të vetme hajt ta pranojmë ashtu siç do Berisha dhe ta quajmë sëmundje korrupsionin. Berisha është vetë i sëmurë prej tij, pra nuk mund të bëjë dot edhe pacientin, edhe mjekun.
Shërimi vetëm janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që mund të shërojnë vendin nga kjo gjëmë korruptive, që po mbyt këdo ndër ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›