Zbulohet pllaka përkujtimore e heroit Shaban Shala

Qytetarë të shumtë, familjarë, zyrtarë komunalë e veprimtarë kanë marrë pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të heroit Shaban Shala, në varrezat e fshatit Letanc të Podujevës, në nderim edhe të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Veprimtari Adem Demaçi ka thënë me këtë rast se Llapi po ngreh një përmendore për të përkujtuar edhe një herë një burrë, një njeri, një shqiptar që, siç ka thënë ai, nuk dinte çka është frika.
Në aktin e zbulimit të pllakës përkujtimore folën Adem Demaçi e kryetari i Komunës Agim Veliu, nënkryetari i Ballit Kombëtar, Hasan Shala, kryetari i NDSH-së, Pashk Staka dhe Ershela Shala,raporton Koha.
Shaban Shala u lind më 16 shkurt 1933 në Letanc të Podujevës. U arrestua disa herë nga autoritetet serbe të asaj kohe dhe u burgos tri herë në burgje të ndryshme të Jugosllavisë. Ndërsa, një ditë para se të lirohej nga burgu, ku ishte amnistuar, nga torturat që iu bënë gjatë asaj nate, ai vdiq më 20 janar të vitit 1963./Indeksonline/