Zbulohet shpifja e Edi Ramës me mësuesen e Labinot-Fushës

Fushata e stisur e Edi Ramës me diskutime me elektoratin është demaskuar me inskenimin e denoncimit të një kandidateje për mësuese, në Labinot-Fushë, se s’qenka në punë, për shkak se s’paguan ryshfet. Matilda Qosja prej një viti është aktiviste e fushatës së Ramës dhe dje kishte marrë detyrën të bënte pyetjen që i duhej kryetarit të mbetur pa njerëz e pa zgjedhës. Trukimi i fushatës po shoqërohet me rritjen e dozës së shpifjeve, çka nxjerr zbuluar edhe panikun që po mbizotëron në kampin mavi
Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Labinot Fushës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama iu përgjigj një denoncimi të një vajze, në pamje e pafajshme, të cilës sipas tij, i kanë kërkuar para dhe vota në këmbim të një pune si mësuese. Vajza quhet Matilda Qosja dhe fillon të recitojë përmendësh: “Kam mbaruar mësuesi dhe shqetësimi im është punësimi. Kur kërkova punë më thanë duhet masteri e mbarova, pastaj më thanë duhet edhe një vit stazh. Punoja falas për shtetin domethënë, shpenzimet përditë nga Labinoti në Tiranë i hiqja vetë. Kur shkova tani përveç 5 mijë euroshit janë shtuar edhe 100 vota se jemi në kohë fushate”. Ndërsa Edi Rama e pyet: “Nga këtu jeni ju?”. Dhe ajo i përgjigjet sipas fijes, “Nga Labinoti këtu jam. Ne mezi presim që të shkojë ndonjë nga ne atje lart, një nga Labinoti të ngrihet në pozitë”. Më pas Edi Rama sqaroi çfarë do të bëjë: “ne kemi një plan që ta përmbysim komplet sistemin e rekrutimit të mësuesve”. Mirëpo vajza nga fshati Labinot Fushë, e cila u bë protagonisten të vërtetë, është aktivistja më e madhe online e Partisë Socialiste. Në uebsajtin, “Rilindje.net” që është projekt i PS-së, i cili vlerëson me pikë mbështetësit e saj, në bazë të aktivizimit online rezulton se, vajza e Labinotit, Matilda Qosja, ndodhet në vendin e parë me 18118 pikë. Pra, është një militante e PS që u përpoq të dramatizojë një skenar të mirëfilltë për të dhënë idenë e korrupsionit dhe justifikuar përmbysjen e sistemi të arsimit. Në profilin e saj zyrtar të PS, Matilda Qosja e përshkruan kështu vetveten, “Kam mbaruar për mësuesi… Jam aktiviste e PS sepse më pëlqejnë njerëzit me vullnet dhe vizionar si Edi Rama dhe dua që dhe unë të jap ndihmën time për ardhjen e tij në pushtet. Sepse PS ka një program dinjitoz qe do ti ktheje shpresën e humbur rinisë shqiptare….”. Çdo njeri mund të klikojë në uebsajtin “Rilindje.net” dhe mund të vërtetojë fare mirë aktivitetin e saj në PS. Padyshim, Edi Rama për motive të dobëta elektorale po arrin nivele të larta të manipulimi të realitetit faktik duke keqpërdorur me bindje të plotë “aktivistë” të recitojnë të pavërteta sikur të ishin të vërteta të mëdha. Afërmendsh Znj. Matilda Qosja që ka pranuar të bëhet pjesë e një skenari denoncimi korrupsioni e ka bërë me bindje të plotë sepse i beson kauzës së ardhjes në pushtet, të gjejë vendin e punës, pavarësisht se një akt i tillë teatror është në një më shumë se një gënjeshtër, ajo është kundravajtje morale dhe etike pasi s’mund të dalë përballë qytetarëve shqiptare të thuash, “me kanë ofruar 5 mije euro për punë” pa thënë as emër dhe as mbiemër, ndërkohë që je një anëtare e fushatës së Edi Ramës. Gjithashtu, keqpërdorimi i historive personale nga ana e Edi Ramës është një kompleks personal të tij që dramatizon herë pas herë ngjarje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të. Keqpërdorimi i femrave nga Edi Rama nuk ka fre. Ky fakt i fundit keqpërdorimi publik të “seksit tjetër” është pjesë e një liste të gjatë të nisur dy dekada më parë me Matilda Makoçin dhe shumë të tjera më pas. Përfaqësues i zhbërjes së vlerave familjare, Edi Rama nuk e ka për gjë të organizojë skenare ogurzeza me manipulime të dobëta lehtësisht të demaskuese. Mësuesja në tentativë, Matilda Qosja do të kish bërë mirë përpara se t’i hynte denoncimit të fshinte në internet të gjithë aktivitetin e saj pranë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, të ngritur më shumë mund, që shkërmoqet me disa klikime në internet. Sidoqoftë, Edi Rama dy javë përpara zgjedhjeve parlamentare është në një hall të madh, frymëzimi opozitar është shuar, militantët janë të demotivuar, qytetarët janë distancuar nga projektimi i “rilindjes” si një rikthim prapa, tek rritja e taksave, tek futja në parlament e Koço Kokëdhimës, e shumë biznesmenëve të tjerë që hyjnë në politikë për të shtuar pasurinë në kurriz të së mirës publike siç bënë 11 vjet në Tiranë. Pretendenti për kryeministër Edi Rama në nevojë për t’u shtirur i pranueshëm ndjek strategjinë e nxjerrjes së papranueshëm të kundërshtarit politik, kryeministrit Berisha, me ca inskenime banale të ca çupëlinave socialiste që flasin për flirte korrupsioni e shumë favore të tjera.
L. Lita