Zëdhënësi i Gedafit: Do mbrojmë gjakun, deri në pikën e fundit
Qeveria libiane akuzoi rebelët dhe NATO-n për sulme të koordinuara nga ajri, deti dhe toka drejt qytetit strategjik të naftës, Brega. Në një dalje të papritur gjatë orëve të vona të mbrëmjes, një zëdhënës i qeverisë libiane e quajti sulmin të rëndë, të pamëshirshëm dhe befasues.
Zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahimi, lëshoi gjithashtu një paralajmërim për të cilin shpresonte se do të ishte ndër titujt kryesorë në të gjithë botën. “Ne do të vdesim për naftën, do të vrasim për të. Do të vrasim këdo që i afrohet naftës tonë: rebelë, ushtarë të NATO-s, nuk na bëhet vonë. Do ta mbrojmë naftën deri në pikë e fundit të gjakut”, tha ai.
Komentet e tij erdhën menjëherë pasi kolonel Gedafi kishte përdorur të tilla betime, për t’u zotuar se nuk do të dorëzohej para kërkesave të ndërkombëtarëve për të lëshuar pushtetin, të cilin e ka mbajtur për 42 vjet. Reagimi vjen në një ditë kur sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton do të takohet me drejtues të NATO-s dhe diplomatë arabë në Turqi, për të gjetur një zgjidhje mbi krizën në Libi.
Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit të Libisë, e katërta që nga muaji mars, do diskutohet gjithashtu për ndihmën ndaj rebelëve. Në këtë mbledhje, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga 15 vende, do të jenë të pranishëm edhe ministri i Jashtëm britanik William Hague, ai italian Franco Frattini dhe ai i Francës, Alain Juppe.