E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zelanda në festë

Kryeministri i Zelandës së Re, John Key, iu bashkua korit të festës të hënën, derisa Kombëtarja më së dobëti e radhitur shkaktoi njërën prej befasive më të mëdha në histori të një Kampionati botëror, duke barazuar 1-1 me katër herë kampionin Italinë.

Key, i cili përcolli ndeshjen në stadium së bashku me të birin e tij 10 vjeç, lavdëroi paraqitjen heroike të Kiwit (nofka e Zelandës së Re).

“Ekipi tregoi guximin dhe karakterin e tij. Ky është rezultati më i mirë në histori të futbollit të Zelandës së Re. Me barazimin kundër njërit prej ekipeve më të mëdha në botë. Zelanda e Re ka befasuar mbarë botën e futbollit. Ekipi duhet të fitojë krenari nga ky rezultat”, tha Key nëpërmjet një komunikate.

Key shtoi se ai personalisht ka uruar trajnerin Ricki Herbet dhe kapitenin Ryan Nelsen. “Jam i sigurt se e gjithë Zelanda e Re do të na bashkohet për të shprehur krenarinë tonë për ekipin. I uroj çdo të mirë për ndeshjen e ardhshme kundër Paraguait të premten”, shtoi ai.

Ndeshja kundër Italisë ishte transmetuar herët në mëngjes në Zelandën e Re, duke lënë punëtorët me sy të turbullt gjatë ditës së parë të punës në javën e re. Zelandezët e përcollën ndeshjen në lokale ose në shtëpi, pasi moti i ftohtë nuk lejoi grumbullimin e njerëzve në ambiente të hapura.

Mediat në Zelandën e Re e lavdëruan barazimin 1-1 me Sllovakinë si arritjen më të madhe në historinë e futbollit të Zelandës së Re, por e përsëritë këtë titull të hënën duke shtuar se rezultati kundër Italisë ishte i jashtëzakonshëm dhe heroik.

Korrespodenti i të përditshmes New Zealand Herald, Michael Brown e përshkroi barazimin “të pabesueshëm”. “Të vegjlit, Zelanda e Re ka vetëm 25 futbollistë profesionistë – Italia ka 3541. Një shtet që ka zhvilluar vetëm katër ndeshje në Botëror para përballjes së fundit, barazoi me ekipin që ka fituar katër tituj të botës. Çmenduri! Nëse rezultati me Sllovakinë ishte i jashtëzakonshëm, ky është i pabesueshëm, ndërsa ende ka shanse të kualifikohet në fazën e dytë, edhe pse Paraguai luajti mirë në fitoren e tyre 2-0 ndaj Sllovakisë. Kjo do të ishte njëra prej befasive më të mëdha në histori të një Kampionati botëror, sikurse fitorja e SHBA-së kundër Anglisë më 1950”, theksoi ai.

Mediume nga Zelanda e Re e përshkruan barazimin si “moment i krenarisë për shtetin tonë”. Pas humbjes së Australisë nga Gjermania me rezultat 4-0 dhe barazimit 1-1 të Zelandës së Re me Sllovakinë, shumë australianë kanë theksuar se do të përkrahin Zelandën e Re. E përditshmja australiane Sydney Morning Herald lavdëroi paraqitjen e Zelandës së Re. “Kjo ishte ditë e famshme për futbollin e Zelandës së Re, një ditë e famshme për Zelandën e Re”, shkroi korrespodenti Dan Silkstone.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›