Zelensky: Pushtuesit rusë kontrollojnë pothuajse 20% të territorit të Ukrainës

Rusia aktualisht zotëron rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-lidhje me parlamentin e Luksemburgut.
Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë, forcat ukrainase kanë çliruar 1017 zona të banuara.
“Trupat ruse kanë pushtuar 3620 vendbanime, nga të cilat 1017 janë çliruar dhe 2603 mbeten për t’u çliruar. Në bazë të situatës aktuale të deritanishme, rreth 20% e territorit tonë është nën kontrollin e pushtuesve, gati 125 mijë kilometra katrorë, një sipërfaqe dukshëm më e madhe se sipërfaqja e të gjitha vendeve të Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksemburg)”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se aktualisht rreth 300,000 kilometra katrorë në territorin ukrainas janë bllokuar nga municione dhe raketa të pashpërthyera.
Zelensky shtoi se 12 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa më shumë se 5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur jashtë vendit.
Presidenti ukrainas i bëri thirrje Perëndimit të rrisë furnizimet me armë në Ukrainë, në mënyrë që ta shtyjë luftën e ashpër të Kievit me Rusinë në një “pikë kthese” që do ta lejonte atë të fitonte.
Megjithatë, siç vuri në dukje ai, Kievi është mirënjohës për ndihmën që Perëndimi ka ofruar deri tani./ CNN.gr
/rtsh.al/