Zelensky bën thirrje nga Tirana: Ukraina ka nevojë për paqe. Putini t’i japë fund luftës!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka qenë i qartë dhe i prerë teksa ka deklaruar para liderëve europianë se lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të marrë fund.
Në fjalën e tij në seancën plenare të Komunitetit Politik Europian, ai u shpreh se dërgimi i delegacionit të nivelit të ulët nga ana e Rusisë në Stamboll për bisedimet me delegacionin ukrainas, nuk tregoi tjetër veçse frikën e presidentit Vladimir Putin dhe mungesën e dëshirës e gatishmërisë për t’i dhënë fund luftës e për të vendosur armëpushimin e plotë, të drejtë e të pakushtëzuar.
“Kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ukraina ka nevojë për paqe dhe paqja në Europë varet nga fakti nëse Ukraina do e marrë atë.
Këtë javë ne patëm mundësinë për të ndërmarrë nëse do ishte e mundur, disa hapa për të mbyllur luftën, nëse Putin s’do kishte frikë të vinte në Turqi.
Isha i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putin, dhe jo thjesht për një takim, por për të zgjidhur çështjet e rëndësishme. Delegacioni rus ishte i një niveli shumë të ulët dhe s’mund të merrnin vendime në Rusi.
Megjithatë unë dërgova ekip në Stamboll për të parë nëse rusët do arrijnë të vendosnin ndonjë gjë.
Në rast se përfaqësuesit e Rusisë sot në Stamboll nuk do bien dakord, është e qartë 100% se Putin minon diplomacinë dhe se duhet të arrijmë ne një rezultat që duhet të nisë me armëpushimin. Delegacioni ukrainas e ka mandatin për ta marrë këtë vendim”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas kërkoi një reagim të fortë nga e gjithë bota, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër sektorit energjitik e bankave ruse.
Ai garantoi se Ukraina është e hapur që të ndërmarrë hapat e duhur për t’i dhënë fund luftës, ndërsa shtoi se nga ana e tij, i ka dhënë të drejta të plota delegacionit ukrainas në Stamboll për të vendosur mbi armëpushimin, dhënien fund të vrasjeve, si dhe lirimin e pengjeve e civilëve. Ai kërkoi nga ana e Putin që të bëjë të njëtën gjë për delegacionin rus në Turqi.
“Po bëjnë gjithçka që takimin e Stambollit ta kthejnë në një proces bosh dhe të inskeunuar si në 2022.
Janë rusët që kanë dërguar kokëbosha në këto takime. Teatër po shohim nga delegacioni rus.
Bota duhet të reagojë. Duhet të ketë një reagim të fortë duke përfshirë sanksione kundër sektorit të energjisë të Rusisë dhe bankave të tyre dhe presioni duhet të vijojë të rritet derisa të ketë ecuri.
Ukraina është e hapur të ndërmarrë hapat e duhur për t’i dhënë fund luftës.
I bëj thirrje Putin që ti japë autoritetin e plotë delegacionit të vetë dhe t’i japë diplomacisë një shans të dytë. Së bashku me udhëheqësit e vendet që janë këtu, kemi filluar të krijojmë një arkitekturë të re mbrojtje për Ukrainën.
SHBA, Trump dëshiron t’i japë fund luftës dhe duhet të bashkëpunojmë me të. Mbështetja e SHBA, thelbësore. Duhet të punojmë së bashku që kjo gjë të arrihet”, theksoi Zelensky.
Kërkesat e Zelenskyt:
- Armëpushim i plotë, i drejtë dhe i pakushtëzuar;
- Vrasjet duhet të marrin fund;
- Të krijohet bazë e duhur për diplomacinë;
- Të lirohen të burgosurit e luftës, të kthehen fëmijët ukrainas që i mban Rusia, dhe duke liruar pengjet civilë që ka Rusia;
- Të përkufizojmë cilat çështje duhet të zgjidhjen në nivel lidershipi, dhe jo më poshtë.