Zelensky i hap rrugë planit amerikan: Gati të diskutoj me Trump, por dua forca sigurie evropiane

Për herë të parë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë sinjale të qarta publike se është i gatshëm të pranojë dhe të ecë përpara me planin e paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara.
Në një mesazh drejtuar “koalicionit të të vullnetshmëve”, Zelensky konfirmoi se Kievi është gati të diskutojë pikat më të nxehta të marrëveshjes direkt me Presidentin amerikan, Donald Trump.
Kushti, Evropa në tryezë
Megjithatë, lideri ukrainas ka vendosur kushte për formatin e bisedimeve. Sipas raportimit të Reuters, Zelensky ka theksuar se negociatat për këto “detaje delikate” nuk mund të bëhen vetëm mes SHBA-së dhe Rusisë/Ukrainës, por duhet të përfshijnë patjetër edhe aleatët evropianë. Kjo kërkesë synon të shmangë izolimin e Ukrainës përballë presionit të Uashingtonit dhe Moskës.
Kërkesa për trupa në terren
Pika më e fortë dhe më e re në diskursin e Zelenskyt është kërkesa ushtarake drejtuar Evropës. Ai u ka kërkuar udhëheqësve evropianë të zhvillojnë urgjentisht një kornizë për dërgimin e një “force sigurie” në Ukrainë.
Kjo forcë do të shërbente si garanci fizike për paqen, ndërkohë që Zelensky kërkoi që mbështetja perëndimore të vazhdojë derisa Moska të tregojë vullnet real për t’i dhënë fund luftës.
/rtsh.al/