Zelensky takon Macron, marrëveshje historike për blerjen e 100 avionëve luftarakë “Rafale”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua të hënën me homologun francez, Emmanuel Macron, në bazën ushtarake Villacoublay, duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për blerjen e pajisjeve të reja mbrojtëse franceze, e cila konsiderohet si një marrëveshje historike.
Marrëveshja parashikon blerjen e mundshme nga Kievi të deri në 100 avionë luftarakë “Rafale”, të shoqëruar me armatimet përkatëse, gjatë një horizonti kohor prej dhjetë vjetësh (deri në vitin 2035).
Presidenti Macron e përshëndeti ngjarjen në rrjetin X si “një ditë e mrekullueshme”, duke postuar një foto me homologun ukrainas.
Paketa franceze e mbrojtjes
Sipas Presidencës franceze, memorandumi i mirëkuptimi përfshin 100 avionë Rafale F4 (me armët e tyre shoqëruese), sistemet e mbrojtjes ajrore të gjeneratës së ardhshme Samp-T, blerje të reja të granatave me raketa (AASM Hammer) dhe dronëve.
Të dy vendet do të fillojnë projekte të përbashkëta të industrisë së mbrojtjes, përfshirë prodhimin e dronëve interceptues dhe zhvillimin e komponentëve kritikë.
Zelensky e falënderoi thellësisht Francën, duke e quajtur marrëveshjen historike me “avionë të rinj, përforcime të reja, masa të reja për të forcuar ushtrinë dhe vendin tonë.” Kujtojmë se muajin e kaluar, Kievi kishte nënshkruar një letër qëllimi edhe për blerjen e 100-150 avionëve suedezë Gripen.
Ndërkohë, lufta në terren vijon me intensitet. Raportohet një sulm rus në Kharkiv, ku të paktën 3 persona kanë vdekur dhe 10 janë plagosur në Balakliya. Ndërsa Kievi ka ndërmarrë sulme kundër infrastrukturës energjetike në pesë rajone të Rusisë.
/rtsh.al/