E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vengu mbledh Komitetin e Emergjencave Civile në Shkodër, regjimenti i këmbësorisë së veriut aktivizohet për ndërhyrje të shpejtë

Për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq dhe incidentit në aksin Theth-Breg Lumi, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi sot Komitetin e Emergjencave Civile në Shkodër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu njoftoi se janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke aktivizuar Forcat e Armatosura në zonën e Veriut:

“Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, i cili shërben si një qendër ndërhyrjeje të shpejtë dhe të vendosur, (është aktivizuar) në ndihmë të çdo bashkie të qarkut,” shkruan Vengu.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkërendimit të punës mes bashkive, Policisë së Shtetit, drejtorive rajonale të infrastrukturave kritike dhe Forcave të Armatosura.

Ky angazhim vjen pas vështirësive të hasura gjatë ditës në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, ku shembja e një masivi inertesh bllokoi pesë mjete dhe nëntë persona.

Ekipet e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile konfirmuan më herët se të bllokuarit në Ndërlysaj (Theth) janë evakuar dhe janë jashtë rrezikut. Bashkia e Shkodrës po vazhdon punën për lirimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit në transport.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›