E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeman në sulm: Mourinjo, trajner mediokër

“Mourinjo është një komunikues i zoti, që di ta fshehë mirë mediokritetin e vet si trajner.” Zdenek Zeman rikthehet me vlerësime të destinuara të mos kalojnë pa u vënë re.

“Mou është trajner i Interit sepse di si të sillet me lojtarët, por sidomos me gazetarët,”- shtoi çeku.

Por thumbimeve të Zemanit nuk i kanë shpëtuar as Ferrara dhe as Leonardo: “M’u bë shumë kohë që drejtoj skuadra dhe kam mësuar shumë. Mesa duket, ata nuk kanë evojë të mësojnë, sepse i dinë të gjitha.”

Duke u rikthyer te Mourinjo, ish-trajneri i Lacios dhe Romës, midis shumë skuadrave të tjera, sidomos në Itali, shton: “Me të në stol tifozët e Interit nuk kanë për të parë ndonjëherë lojë të bukur. Skuadra e Moratit do të jetë gjithnjë pretendentja kryesore për të fituar kampionatin italian, edhe nëse luan shumë keq, sepse ka organikën më të pasur.”

Ndërkaq, Ranieri, i sapoulur në stolin e Romës, ka deklaruar se tani e tutje tifozët duhet të harrojnë lojën e bukur të Roës së Spaletit. “Janë fraza që bëjnë të më qajë zemra. Për fat të keq, në futbollin e sotëm secili mendon vetëm për rezultatin dhe askujt nuk i bëhet vonë të argëtojë njerëzit. Për ta nuk ka rëndësi nëse publiku në stadium kënaqet apo jo,”- tha më tej Zdenek Zeman.

Ai nuk mendon se ka pasardhës në futbollin modern: “Nuk kam dhe nuk dua – thotë -. Shumë trajnerë e shohin futbollin si një punë dhe jo si argëtim. Por më duhet të pranoj se Spaleti me Romën krijoi një skuadër të bukur për t’u parë. Sot më pëlqen Gasperini. Xhenova e tij shpreh vlera të rëndësishme, edhe pse nuk janë të vazhdueshme.”

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›