E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Plan për integrimin e ushtrisë shqiptare

Në kuadër të hartimit të këtij plani, në mjediset e Komandës së Bashkuar në Tiranë u organizua të hënën Konferenca e Dytë për Integrimin e Forcave të Armatosura në strukturat e NATO-s, nga Komanda e NATO-s për Transformim (ACT).

"Synimi  kryesor i reformës së FA është shndërrimi i ushtrisë sonë deri në fund të 2010 në një forcë profesioniste si dhe konsolidimi i saj deri në vitin 2015”, tha Imami gjatë kësaj konference. Sipas tij, "kjo nuk përfshin vetëm përshtatjen e fuqisë njerëzore e të strukturave të organizimit, por një ndryshim të rëndësishëm në konceptet operacionale, në sistemet e stërvitjes dhe çka është më e rëndësishme në konceptet e menaxhimit të mbrojtjes".

Gjatë konferencës së parë, vijoi ministri Imami, ne përcaktuam rrugën ku do të ecnim përpara për vitet e ardhshme dhe premtuam se do të krijojmë një forcë të armatosur plotësisht të ndërveprueshme dhe të aftë për t'u integruar në strukturat dhe proçedurat e  NATO-s. Për ministrin e Mbrojtjes, një forcë profesioniste nuk mund të përparojë pa një strukturë të përshtatshme mbështetëse.

"Në përshtatje me këto ne kemi analizuar me kujdes dhe kemi nisur proçesin e rishikimit dhe të modifikimit të strukturës së forcave tona të armatosura”, tha ai. Objektivi, siç theksoi z. Imami, është rritja e frytshmërisë së komandimit dhe drejtimit, mënjanimi i shtabeve dhe njësive të tepërta si dhe përshtatja e strukturave të disa njësive për t'i bërë ato më efektive.

 Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha gjithashtu se "një rëndësi të jashtëzakonshme kanë përpjekjet për të rishikuar dhe për të përmirësuar procedurat e zbatimit dhe planifikimit të burimeve tona”. Punimet e Konferencës së Dytë për Integrimin do të zgjasin dy ditë (28-29 shtator). Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues nga Shtabi Ndërkombëtar i NATO-s (IS), përfaqësues nga Komandat strategjike të NATO-s (ACT dhe ACO), përfaqësues pranë Komandave të NATO-s, si dhe Komandave kryesore të Forcave të Armatosura Shqiptare.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›