Zemërohet Barroso: S`marim leksione nga G20 për krizën
Bashkimi Evropian nuk do të lejojë të marrë leksione se si duhet ta trajtojë krizën evropiane ekonomike, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, në samitin e G20-ës që po mbahet në Meksikë.
Hoze Manuel Barroso ka thënë se BE nuk është përgjegjëse për problemet financiare të botës.
“Ne jemi jashtëzakonisht të hapur dhe jemi të angazhuar me partnerët tanë, por
ne me siguri nuk po vijmë këtu për të marrë mësime (nga dikush)”, tha Barroso.
“Sfidat nuk janë të gjitha evropiane. Ato janë globale", shtoi ai, duke vënë në dukje se problemet ekonomike ndërkombëtare kanë filluar katër vjet më parë me krizën financiare në Shtetet e Bashkuara.
Më herët presidenti amerikan, Barak Obama u shpreh se liderët e mbledhur në samitin e G20 në Meksikë duhet të punojnë për të stabilizuar sistemin financiar dhe SHBA do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për rritjen ekonomike dhe rritjen e besimit në tregje.