E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeneli: Buxhet i stagnimit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli ka vlerësuar se projektbuxheti i Kosovës për vitin 2010 paraqet buxhet të stagnimit dhe është shprehje e mungesës së aftësive planifikuese të Qeverisë së Kosovës.

Zeneli tha se LDD’ja do të kundërshtojë aprovimin e një buxheti të tillë në Kuvendin e Kosovës.

“Ka një mori arsyesh që e bëjnë LDD-në, jo vetëm të kundërshtojë miratimin e këtij projektbuxheti, por GP i LDD-së nuk do të jetë pjesë e një skenari të tille, pasi që për ne, miratimi i një buxheti të tillë është dëm i madh që mund t’u bëhet qytetarëve dhe perspektivës së vendit”.

“Përfundimisht ky projektbuxhet, përveç të tjerash përligj, legjitimon paaftësinë planifikuese dhe menaxhuese të kësaj qeverie, por edhe involvimin e saj kryekëput në konflikte interesash, në korrupsion dhe në klientelizëm”.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së ka vlerësuar se ky vit ka shënuar degradimin më të madh qeverisës dhe institucional në këto dhjetë vjetët e fundit.

“Cenimi i sovranitetit dhe integritetit të vendit, shkelja e kushtetutës nga vetë institucionet e vendit, krimi i organizuar dhe korrupsioni në përmasa shqetësuese janë komponentë që e karakterizuan pushtetin aktual në vitin që po e lëmë pas”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›