Sejdiu: Vit i përballjes me sfidat për njohje të reja

Presidenti Fatmir Sejdiu shtroi drekën tradicionale të fundvitit për gazetarë. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu i falënderoi përfaqësuesit e mediave për punën që bëjnë dhe për bashkëpunimin e mirë, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Presidenti u uroi atyre edhe festat e fundvitit, uroi që viti i ardhshëm të jetë vit i sukseseve, vit i progresit në të gjitha fushat e jetës. Ndërkaq, për situatën në vend, Presidenti Sejdiu tha se ajo është e qetë dhe stabile, ndërsa edhe koalicioni qeverisës po funksionon mirë. Në lidhje me zërat për zgjedhje të parakohshme në vend, Presidenti tha se se deri tash nuk sheh ndonjë lëvizje në këtë drejtim, por tha se do të respektojë Kushetutën e Republikës.
Ai tha se viti 2009 për Kosovën ishte periudhë e përballjes me sfidat për shtimin e njohjeve për shtetin ri, argumentimin e saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë por edhe organizimit të jetës së brendshme politike dhe bashkërendimin me praninë civile ndërkombëtare. Zgjedhjet për pushtetin lokal u vlerësuan si një sprovë për shtetin e ri dhe funksionimin e institucioneve të tij.