E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeneli, gati për Finlandën

Erfan Zeneli mund ta ndjekë rrugën e shumë futbollistëve shqiptarë, që i mbrojtën ngjyrat e Finlandës. 24 vjeçari është ftuar në një kamp, që mbahet javën tjetër, bashkë me shumë lojtarë të tjerë, që shkëlqyen këtë sezon në Skandinavi. Futbollisti kosovar beson se do t’i bind trajnerët me cilësinë e tij dhe se do të jetë pjesë e Finlandës në të ardhmen.

Erfan Zeneli mund ta ndjekë rrugën e futbollistëve tjerë shqiptarë, si vëllezërit Shefki e Njazi Kuqi, Përparim Hetemaj, Berat Sadik etj, për të luajtur me përfaqësuesen e Finlandës. Në fakt, mesfushori kosovar është ftuar në një kamp, ku do të përfshihen futbollistët finlandezë që luajnë në shtetet skandinave.

Ky grumbullim do të bëhet të martën e ardhshme, ndërsa do të zgjasë tri ditë. Aty janë ftuar lojtarët që shkëlqyen këtë sezon në këto vende, përfshirë edhe 24 vjeçarin nga Kosova. Ai ndihet i privilegjuar për këtë fakt, ndërsa thotë se do të mundohet t’i bind mbikëqyrësit e këtij kampi me cilësitë e tij për të ecur përpara.

“Kampi do të fillojë të martën që vjen dhe unë do të jem pjesë e tij. I kanë ftuar lojtarët që patën vit të mirë, duke më përfshirë këtu edhe mua. Unë do të mundohem që t’i bind trajnerët dhe që në të ardhmen të jem pjesë e përfaqësueses A të Finlandës. Mendoj se kam kualitete të duhura për ta bërë këtë”, deklaroi Zeneli për Express.

Ish përfaqësuesi U-21 i Finlandës ndihet i zhgënjyer që nuk ka marrë ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës. Ai do të dëshironte të luante për vendin e tij, por nuk e ka aspak problem të luajë për Finlandën. Futbollisti ofanziv e ndihmoi Helsinkin që ta fitojë titullin e kampionit në Finlandë.

Lëndimet e shpeshta në të kaluarën nuk e kishin lënë rehat, por këtë sezon nuk e pati këtë problem dhe ia doli mbanë. Atij i përfundon kontrata pas përfundimit të sezonit në Finlandë, por palët kanë një opsion për vazhdimin e saj edhe për një vit. Por, nuk përjashtohen edhe mundësitë tjera.

“Unë jam i kënaqur në Helsinki, me të cilin kemi opsion edhe për një vit. Këtu do ta kem mundësinë që të luaj edhe në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Por, nëse arrin ndonjë ofertë nga një ekip më i mirë, do ta marr në konsideratë”, shtoi ai.

Bashkë me Berat Sadikun, Erfan Zeneli e ndihmuan më së shumti Helsinkin në sukseset e këtij viti. Dhe, paraqitjet e tij të mira të këtij sezoni duket se do ta shpërblejnë me ftesë në përfaqësuesen finlandeze.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›