Koncert për lopën
Edhe këtë vit artistët i thanë po mbajtjes së koncertit humanitar “Jam për lopën”.
Është ky edicioni i postë i këtij koncerti që për qëllim ka mbledhjen e fondeve, e me ato fonde të ndihmojnë familjet e varfra duke iu dhuruar nga një lopë.
Sipas njërit nga organizatorët e koncertit, Dritëro Nikçi, qëllimi i koncertit është i njëjtë sikurse vitet e kaluara. Edhe tani organizohet nga njerëz të thjeshtë, jo prej ndonjë organizate apo partie.
“Pretendojmë të mbledhim mjete për familjet që kanë nevojë, ndoshta të blejmë një lopë, po kjo nuk është patjetër lopë, ndonëse emri kështu i ka mbetur. Edhe pse ne jemi fokusuar në lopë, mund të kontribuojmë diçka që i mban familjet, diçka që zgjatë për ta, e sidomos për sezonin e dimrit”, theksoi Nikçi.
Deri tani, të gjitha fondet janë grumbulluar prej publikut duke paguar nga 3 euro hyrje. E njëjta gjë vlen edhe këtë vit.
Nikçi pohoi se në edicionet e kaluara janë marrë deri në tri lopë mesatarisht. “Ndonjëherë ka qenë më mirë, sepse kemi pasur edhe ndonjë ndihmë tjetër, p.sh. vitin e kaluar nga Ministria e Bujqësisë”, tha ai.
Sipas tij, blerja e një lope për një familje skamnore ka qenë shumë efektive, ngaqë zakonisht lopa i ka shkuar familjes që ose e ka humbur lopën, ose e ka shitur e në fakt ka pasur nevojë shumë për të, apo edhe nuk kanë pasur më herët, mirëpo ka qenë shumë e nevojshme për ta, nga të mirat që i kanë nxjerr prej lopës.
Organizimi i këtij koncerti do të ndodh çdo vit, mirëpo kjo nuk varet nga organizatorët, por nga artistët.
Koncerti do të mbahet sonte (e premte) në orën 21:00, në ambientet e teatrit Oda, ku do të performojnë: Pinkmetal, Trio of Love , Spec Djegs, Rona Nishliu, Projekti, Bim Bimma & Mono, Dj Buda, Dj Labinot Sponca.