E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeqi Agolli: Në vitin 1942 Enver Hoxha banoi nëntë muaj me ne

Zeqi Agolli. Një nga emrat e njohur të shtetit komunist. Historia e tij publike zë fill në ditët e para kur qeveria komuniste e porsa ardhur në pushtet filloi punën në zyrat e improvizuara. Pikërisht në atë moment Zeqi Agolli fillon detyrën e veçantë si shef kabineti i vetë Enver Hoxhës. Por dy vjet më pas, emri i tij do të spikaste për më se 44 vjet me radhë në kalendat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku ai do të ishte jo vetëm një zyrtar i lartë i administratës së saj, por edhe një diplomat karriere, ku do të ishte në krye të disa ambasadave në shumë shtete kyçe ku shteti i djeshëm kishte vendosur marrëdhënie të rregullta. E ndërkaq, Zeqi Agollin e ndeshim në momente decizive të historisë së vet. Ai ka qenë i njohur, madje mik i afërt me ish-kryeministrin e supershtetit aziatik të Kinës, ÇU En Lain, me të cilin ruan një prej kujtimeve më emociononte, kur në Pekin teksa ishte në gjendje të dehur ka bërë një aksident me pasojë vdekjen. Por Zeqi Agolli, i cili kishte qenë mik i afërt me Enver Hoxhën, të cilin e ka mbajtur në shtëpinë e vet gjatë luftës për nëntë muaj në ilegalitet, ka qenë edhe shoku më i ngushtë i klasës në shkollën fillore, me vetë Ramiz Alinë, madje ai vetë ka bërë prezantimin e Alisë te Enver Hoxha. Por Zeqi Agolli, i cili ka punuar për më se 44 vjet në diplomacinë shqiptare duke qenë disa herë edhe ambasador i Shqipërisë në disa vende, ka edhe një moment tepër interesant të jetës së tij, pasi i ngarkuar nga Mehmet Shehu ai ka bërë shoqërimin e simbolit të revolucionit kubanez Çe Guevara. Këto dhe të tjera, lexuesi i Gazetës do t'i ndjekë pikërisht në intervistën e vetë zotit Zeqi Agolli, i cili pikërisht në datën 23 mars mbushi plot 89 vjeç.

Zoti Zeqi, cila është e kaluara juaj e hershme duke filluar që nga origjina e familjes?
Unë kam lindur në Tiranë në 23 mars 1923. Prejardhjen e hershme e kam nga Dibra. Babai im më ka vdekur shpejt. Ai, së bashku me të vëllanë, Vehbi Dibrën (Agollin), kanë qenë ndër veprimtarët e veçantë në shërbim të Pavarësisë së vendit, ndërkohë që Vehbiu pati edhe post të lartë në qeverinë e parë, e dalë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.
Në qeverinë e Ismail Qemalit?
Po.
Çfarë posti pati?
Është një nga liderët patriotë që në krye të delegacionit të Dibrës, mori pjesë direkt në ngritjen e flamurit tonë kombëtar në Vlorë në 28 Nëntor 1912.
Pikërisht në mbledhjen e parë solemne, ku u ndërtua qeveria e parë e shtetit të ri shqiptar, e cila do të hynte fuqishëm në historinë e vendit, xhaxhai im, i propozuar nga patrioti i madh Luigj Gurakuqi, u zgjodh Kryetar i Senatit të saj dhe gjatë gjithë kohës së qeverisë së Ismail Qemalit ai ka qenë krahu i djathtë i tij. Madje, vlen shumë të përmendet një fakt më se historik, ku tregon më së miri afrimitetin e tyre. Ky fakt ka të bëjë me momentin kur është larguar Ismail Qemali në krye të delegacionit shqiptar për në Londër për të mbrojtur interesat e vendit. Si zëvendës të tij në detyrën e kryeministrit ai nuk la Nikollë Kaçorin, që ishte juridikisht zëvendëskryetar, por ia delegoi kompetencat për të nënshkruar të gjitha aktet e qeverisë në emër të tij, pikërisht Vehbi Dibrës. Ky detaj është dhe në rrëfimin e vetë Ismail Qemalit në botimin e tij.
Cila është pjesëmarrja juaj në luftë zoti Agolli, të cilën e përmendët në fillim të kësaj interviste?
Pushtimi i Shqipërisë, mua më gjeti vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Megjithatë, nuk e di, por isha i përgatitur psikologjikisht të bëja diçka dhe të mos pranoja në heshtje realitetin e zymtë të Shqipërisë së asaj kohe. Nuk e di as sot se çfarë më bëri aq të vendosur, që në ditët e para kur prisnim me orë pushtimin.
Në çfarë kohe?
Unë kam qenë aktiv që në demonstratat e datës 4, 5 dhe 6 prill 1941, kur pritej të hynte ushtarakisht Italia fashiste.
Dhe si e mbani mend çastin e pushtimit, pavarësisht se ju u munduat të demonstronit kundër ndërhyrjes ushtarake?
Ishte pasdreke e datës 6 prill 1939. Nëna ime, Ija po lante rrobat në pusin e oborrit të shtëpisë. Kur në një moment dëgjojmë zhurmën e skuadriljeve të avionëve ushtarakë italianë që kalonin mbi qiellin tonë. Ija u ngrit në këmbë, ngritii sytë drejt aeroplanëve, përplasi duart në shenjë alarmi dhe me lot në sy thirri me të madhe: "Na iku Shqipëria". Unë që isha 16 vjeç, kur pashë nënën ashtu duke qarë dhe dëgjova fjalët e saj aq të zjarrta që po qante për Shqipërinë, m'u rrëqeth trupi dhe nuk munda t'i mbaja lotët. Ky ishte mësimi më i mirë patriotik për atdheun që ma dha nëna ime e shtrenjtë, Ija ime e dashur.
Sa vjeç ishit atëherë, pra në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë?
Jua thashë që kam qenë veçse 16 vjeç, por nuk e di, më dukej vetja shumë i burrëruar. Kisha një idealizëm patriotik që më digjte të tërin. Në çdo çast zieja për faktin se si mund një ushtri e huaj të vijë e të bëjë ligjin në shtetin tonë. Ndoshta është ajo mosha adoleshente dhe patriotizmi që karakterizonte fuqishëm djalërinë shqiptare në atë kohë.
Kështu, me gjithë nënën time, se babai na kishte vdekur shpejt, e kthyem shtëpinë ku banonim në bazë të sigurtë të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Shtëpia juaj ka qenë bazë e lëvizjes? Kush ka hyrë saktësisht nga njerëzit e lëvizjes së asaj kohe në shtëpinë tuaj?
Që nga Enver Hoxha, Qemal Stafa, Vukvanoviç Tempo me sekretaren e tij që më mbrapa u bë gruaja e tij, Miladin Popoviçi, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Nako Spiru, Ramiz Alia, Ali Sina, Ali Zhuri, Galip Hatibi, Skënder Kosturi, Myfaret Dhrami, Jashar Mezelxhiu, Sadik Premtja, Sejfulla Malëshova, Misto Mame, Pirro e Alqi Kondi, Nexhmije Xhuglini, Naxhije Dumi, Liri Gega, Jovan Andoni, Fiqiri Basha etj etj.
Paskan ardhur shumë...
Ka qenë një nga bazat kryesore të luftës. Pikërisht në shtëpinë time është zhvilluar konferenca e jashtëzakonshme, ku u dënua fraksioni i Sadik Premtes dhe Anastas Lulës.
E mbani mend mirë atë moment?
Ka qenë një mbledhje që zgjati plot katër ditë e katër net, pa u ndërprerë që nga momenti kur ilegalët u futën brenda në dhomën e katit të dytë të sajuar për takim të posaçëm. Mbaj mend që punonin me orë të tëra në konferencë, ku dëgjoheshin debate e përplasje. Ishin rreth 15 veta gjithsej.
Ju kujtohen cilët kanë qenë konkretisht?
Ata që të përmenda pak më lart, që vinin në shtëpinë time dhe të tjerë akoma, por që pak rëndësi ka nëse unë i kujtoj me shumë hollësi. Unë më lart të cilësova më kryesorët, që në shtëpinë tonë vinin vazhdimisht.
Vinte dhe Enver Hoxha?
Enver Hoxhën që ne e dinim se quhej Tarasi, e bëmë si njeri të shtëpisë. Ai ndenji aty jo më pak se nëntë muaj. Ishin ditë të nxehta, ku vdekja "mbyllej" dhe "korrej" kudo dhe ne, Enver Hoxhën (Tarasin) e konsideronim si djalë që i kishte vënë shpatullat luftës. Madje do të të duket çudi, por emrin e tij e kemi mësuar shumë vonë, madje që të jem i saktë emrin ia kemi mësuar në ditën e çlirimit, kur qeveria hyri në Tiranë.
E kishit në shtëpi dhe s'ia dinit emrin?
Po, po, e kishim në shtëpi dhe nuk e mësuam. Por megjithatë e kuptuam menjëherë se pikërisht ai ishte më kryesori i të gjithëve atyre që vinin te ne, madje e kuptuam qartë se ishte kryesori i gjithë lëvizjes.
Nga e kuptuat?
Kishte një autoritet të jashtëzakonshëm mbi shokët. E çuditshmja është, se këto cilësi janë konstatuar në vitin 1942 që nuk dihej se ku do t'i vinte filli i luftës dhe kur Enver Hoxha nuk kishte asnjë lloj pushteti, por ishte thjesht një ilegal që drejtonte një organizatë të mirëorganizuar dhe tepër aktive. Të paktën kështu mund të konsiderohej më së shumti atëherë. Por kur Enveri vendosi të rrinte në shtëpinë tonë, aty pastaj nuk kishin të drejtë të hynin dhe të dilnin të gjithë sa të përmenda në fillim, pasi ata përzgjidheshin. Jo kushdo merrte takim me të. Vinte Nexhmija, Nako Spiru, Gogo Nushi e ndonjë tjetër.
Këta që vinin, hanin dhe flinin te ju, apo jo?
Po, po. Enveri kishte dhomën e vet. Madje edhe ditën e konferencës së jashtëzakonshme. Nëna ime u gatuante për çdo vakt.
Thatë se Enveri ndenji te ju jo më pak se nëntë muaj?
Nuk është fjala që ai ndenji vetëm te shtëpia jonë në ato nëntë muaj, por lëvizte në baza të ndryshme. Ai ishte në një aktivitet dhe në një tension të jashtëzakonshëm. Shkonte diku, merrej me organizime e aktive dhe pas pak ditësh kthehej prapë. Pra, që ta kuptosh më qartë, shtëpia jonë ishte një bazë që ai e vlerësonte dhe e përdorte rregullisht, por nuk rrinte aty përditë. Nuk e di nëse e shpjegova qartë.
Si ka mundësi ky përkushtim kaq i madh në drejtim të aktivizimit në favor të lëvizjes suaj, kur ju nuk dinit si do të shkonte fill i luftës?
Sot mund ta mendosh kështu, por nuk duhet të harrosh se shtresa patriotike e asaj kohe ka qenë shumë e zjarrtë. Ishte e papranueshme për konceptin tonë që ushtria e huaj të bënte ligjin në vendin tonë. Pra, në shtëpinë tonë mendohej që mjafton që ata djem ishin ngritur kundër fashizmit dhe kjo ishte jashtëzakonisht shumë. Kështu që meritonin përkushtim.
Jam kurioz zoti Agolli të di, si mundeshit t'i mbanit gjithë këta njerëz apo qoftë dhe Enver Hoxhën. Fjalën e kam te mundësia ekonomike e familjes suaj, e cila me sa po shikoj ishte vënë përballë një shpenzimi të madh. Si mund t'i përballonit ju ata shokë që ju vinin, kur donin të hanin dhe të flinin?
Ne e kemi pasur babain në gjendje. Ai, kur vdiq në vitin 1934 e la nënën vetëm 34 vjeç, mua 11 vjeç, time motër Esmanë 6 vjeç dhe motrën e vogël Semihanë vetëm 9- muajshe. Por megjithatë, në shtëpinë tonë bëhej një jetë pak a shumë normale dhe edukatore të vetme kishim nënën tonë të fortë dhe trime. Por edhe nga babai kishim trashëguar rreth 400 napolona flori, që ia kishte lënë nënës, ndërkohë që kishim edhe tre shtëpi të tjera, të cilat i kishim dhënë me qira. Pra, nuk kemi qenë keq nga ana ekonomike. Normal që kishim vështirësi, por ato mundeshim t'i përballonim. Pastaj kur rrinte Enver Hoxha aty hynin shumë pak njerëz. Ishin vetëm ata që rekomandonte ai.
Ishe miqësuar shumë me të?
Patjetër. Bashkë rrinim. Dilnim në oborr dhe bënim stërvitje bashkë.
Çfarë stërvitjeje?
Fizkulturë trupore, kërcime, pompa, ngritje me muskuj në degën e pemës etj. Madje bënim dhe mundje. Me këtë dua të them se ishim shumë të lidhur.
Si dhe kur erdhi Enver Hoxha për herë të parë në shtëpinë tuaj dhe si e njohët juve në ato momente?
Njohjen e parë e kemi bërë kur Enver Hoxha erdhi në konferencën e jashtëzakonshme, e cila siç të fola më lart u bë në shtëpinë tonë. Ishte konferenca që goditi atë që u quajt 'Fraksioni i Xhepit' dhe Anastas Lulës. Pra, atëherë Enver Hoxha erdhi për herë të parë te ne, ku u njohëm mirë si nga prejardhja ashtu dhe nga vendosmëria dhe traditat familjare.
Kush e caktoi shtëpinë tuaj pikërisht bazën në të cilën do të bëhej një mbledhje e rëndësishme e asaj kohe, ku do të mblidheshin në një dhomë të gjithë drejtuesit kryesorë të lëvizjes, që kërkoheshin me qiri për t'u asgjësuar?
Neve njiheshim me Pirro Kondin. Ai e kishte përcaktuar shtëpinë tonë si bazë apo si vend ku mund të strehoheshin shokët e lëvizjes. Pirron e kishim sekretar të aktivit të rinisë komuniste të klasës sonë. Në dhjetëditëshin e dytë të muajit qershor të 1942-it, Pirro Kondi me porosi të Misto Mames, që ishte anëtar i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste, më tha se ishte menduar që në shtëpinë tonë të bëhej një mbledhje e rëndësishme partie dhe kërkoi mendimin tim për këtë, duke më porositur që të merrja dhe pëlqimin e nënës, që ai e njihte më parë. Ju përgjigja aty për aty se isha shumë dakord të bëhej ajo mbledhje në shtëpinë tonë dhe sa për nënën nuk ishte nevoja të pyetej, se ajo jo vetëm që nuk më kishte penguar për mbledhje të tilla, por përkundrazi, më kishte inkurajuar. Kështu u vendos që në shtëpi të mbahej konferenca e jashtëzakonshme e Partisë. Disa ditë para se të fillonte, unë mora porosi po nga Pirro Kondi që të grumbulloja ushqime për 18-20 vetë për 4-5 ditë qëndrimi aty dhe se këto ushqime të mos i blija të gjitha në një kohë në dyqan por në disa ditë dhe në dyqane të ndryshme. Kjo masë merrej që të mos binim në sy, pasi dihej që familja jonë përbëhej nga katër veta. Kështu veprova.
Pra, flitej për konferencën e jashtëzakonshme, ku u godit Sadiku dhe Anastas Lula?
Po pra. Flitej pikërisht për konferencën për të cilën ju fola pak më lart. Kështu, në 26 qershor, pak para ndalim- qarkullimit, erdhi njëri nga shokët, doktor Ymer Dishnica. Kurse të nesërmen, në 27 qershor, që ishte e diel, do të vinin të gjithë shokët që do të merrnin pjesë në konferencë.
Si vepruat juve?
Që në mëngjes hapa portën e oborrit dhe rrija në prag të saj për të pritur shokët që do të vinin dhe që nuk i njihja. Të gjithë kishin marrë adresën nga Pirro Kondi dhe ishte caktuar radha dhe koha se kur do të vinte secili prej tyre. I pari, që erdhi rreth orës 8 të mëngjesit, ishte një burrë shtatlartë dhe shumë i pashëm. Ishte veshur elegant, me një xhaketë sportive blu, pantallona të bardha. Në kokë kishte një kapele borsalinë, me syze të zeza dhe në dorë kishte një biçikletë fringo të re të markës "Bianchi". Unë i dola përpara dhe e futa brenda. Hymë në oborr. Nëna në atë kohë ishte pranë pusit duke larë rroba. Ajo u ngrit në këmbë për ta pritur, se iu duk si djali i tezes së saj, se edhe ai ashtu trupmadh ishte, si mysafiri që kishte bujtur në shtëpi në ato çaste. Por kur ajo iu afrua afër dhe pa se nuk ishte ai, për një moment mbeti e habitur, por menjëherë u afrua për t'i uruar mirëseardhjen.
Ishte Enver Hoxha?
Po. Mysafiri që po të them ishte Enver Hoxha. Ai ishte takimi ynë i parë, me atë që më mbrapa do të bëhej si djali i shtëpisë. Në atë çast ai u prezantua me emrin Tarasi. Ai u afrua dhe me fytyrën e tij të ëmbël dhe buzëqeshjen karakteristike e bëri menjëherë nënën për vete dhe ajo e përqafoi si njeriun e afërt të shtëpisë. Atë ditë dhe gjithë kohës sa ka ndenjur te ne, nuk e kemi ditur se quhej Enver Hoxha.
Cilat ishit bisedat dhe njohjet e para që ju bëtë me Enver Hoxhën në atë moment?
Mbasi hyri brenda në shtëpi dhe u takua me doktor Dishnicën më thërriti pranë dhe më pyeti për familjen, origjinën e farefisin, me cilin grup komunist kisha bërë pjesë para themelimit të Partisë dhe me cilin kisha patur lidhje. Pas kësaj, kontrolloi shtëpinë dhe pa se në rast rrethimi nuk kishte rrugëdalje tjetër veçse ta çanim atë me luftë, prandaj porositi që të sillnin sa më shumë armë të lehta dhe municione, si dhe bomba dore.
Kush ishin ilegalët e tjerë që erdhën atë ditë pas mbërritjes së Enver Hoxhës, i mbani mend?
Gjatë gjithë ditës së 27 qershorit erdhën të tjerë shokë, ku ndër ta me kujtohen: Enver Hoxha (Tarasi), Dr. Ymer Dishnica (Shafingo), Vojo Kushi (Trazani), Misto Mame (Zholi), Ramadan Çitaku (Baca), Kristo Themelko (Shylja), Liri Gega, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Anastas Lulo (Qorri), Sadik Premte (Xhepi), Miladin Popoviçi e të tjerë që nuk më kujtohen.
Pirro dhe unë, që ishim të rinj komunistë, bënim roje ditë e natë në oborr dhe mbi derën e oborrit, me revole dhe bomba në dorë.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›