E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeqi Agolli: Pak kohë para vrasjes, Qemal Stafa ishte në shtëpinë time

TIRANE-Qemal Stafën e kam njohur shumë mirë. Ai ka ardhur në shtëpinë time para se aty të vinte Enver Hoxha. Ishte janari i vitit 1945-së, që korrespondon vetëm pesë muaj para vrasjes së tij, kur e kam pritur në rrugicë në errësirë për ta shoqëruar në shtëpinë time". Kjo është dëshmia e intervistës së radhës së njeriut të njohur të periudhës së shtetit komunist, i cli ka qenë shoku i fëmijërisë i Ramiz Alisë dhe i shumë aktivistëve komunistë të periudhës së pushtimit të Shqipërisë si Siri Kodra, Manush Alimani etj. Zeqi Agolli ka qenë ndërkohë edhe një nga miqtë e preferuar të vetë Enver Hoxhës, aq sa ka qenë jo më pak por drejtor i parë i kabinetit të tij. E ndërkohë që në këtë intervistë Agolli dëshmon për njohjen e tij personale me Qemal Stafën, vijon edhe me rrëfimin e marrëdhënieve të tij me Nexhmije Xhuglinin, Nako Spirun, Haxhi Lleshin, Haki Stërmillin etj. Madje, Zeqi Agolli tregon se ka qenë pikërisht ai që ka ndihmuar nëpërmjet Enver Hoxhës që të lejohej Siri Kodra që të shkonte në formacionet e rregullta të çetave partizane, ku dhe dha jetën. Gjithçka rreth këtyre detajeve lexuesi i Gazetës do t'i mësojë pikërisht në intervistën e mëposhtme të vetë Zeqi Agollit, i cili vetëm pak ditë më parë, pikërisht në 23 mars, mbushi plot 90 vite.

Zoti Agolli. Thatë nga numrat e kaluar të kësaj interviste se Enveri në shtëpinë tuaj ishte prezantuar me emrin Taras. Kur e mësuat saktësisht emrin e tij të vërtetë?
Në shtëpinë tonë, për sa ndenji ato nëntë muaj ne nuk e mësuam asnjëherë se ai quhej pikërisht Enver Hoxha. Emrin e tij unë e kam mësuar vetëm në ditën e çlirimit, kur qeveria e kryesuar nga ai erdhi nga Berat. Ai ka mbajtur fjalimin jubilar për ditën e çlirimit të vendit, por tashmë me emrin Enver Hoxha. Atë ditë dhe të tjerat më mbrapa flitej fuqishëm dhe me emocione për komandantin e përgjithshëm të luftës dhe kryeministrin e ri të Shqipërisë.
Ndërkohë, folët për informacionin që i dhatë për herë të parë Enver Hoxhës për Ramiz Alinë, por nuk folët si vijuan më tej takimet apo njohjet e tyre?
Rëndësi ka takimi i parë i tij me Enver Hoxhën, se më mbrapa nuk ka ndonjë kuriozitet që ia vlen të përmendet, pasi jeta jonë në flakët e luftës dihet, se është përmendur shumë herë. E veçanta është se që të katër ne, shokët e ngushtë që rrinim në atë oborr magjik që na krijonte mundësi të bisedonim rregullisht kokë më kokë për gjithfarë lloj temash, e përqafuam shumë fuqishëm lëvizjen e nisur, për të luftuar me zjarr dhe hekur pushtuesin që na kishte zënë frymën.
Të gjithë bashkë e filluat luftën? Ju thatë se jeni marrë me rininë, apo jo?
Normal që ne ishim të rinj dhe do të aktivizoheshim me rininë antifashiste të kryeqytetit. Ai që donte të shkonte në luftë që në fillim ishte kushëriri im Siri Kodra. Por nuk e linte Nexhmije Xhuglini apo Nexhmije Hoxha, siç u quajt më vonë.
Pse, çfarë ishte Nexhmija në atë kohë?
Ishte Sekretare e Rinisë Antifashiste të Tiranës. Kur Siriu i kishte kërkuar që ta lejonte dhe ta mundësonte që ai të merrte pjesë direkt në luftime të drejtpërdrejta, Nexhmija i kishte thënë se nuk mund të shkonte, se për të kishte shumë nevojë këtu. Pas kësaj, Siriu m'u lut mua të ndërhyja te Enveri apo Tarasi siç e quanim, që të realizonte dëshirën e tij. Se, siç të tregova, unë i kisha thënë që në fillim Siriut për faktin që te ne strehohej Tarasi.
Ju e dinit se Enver Hoxha ishte në krye të lëvizjes së asaj kohe, apo jo?
Patjetër që e dinim. Kjo dukej sheshit, që nga përzgjedhja e personave që mundeshin t'i vinin në takim në atë bazë.
Në ç'kuptim?
Sepse në shtëpinë tonë, që kur shtëpia u kthye në bazë të posaçme ku do të rrinte Enver Hoxha, u vendos një regjim i hekurt për ilegalët komunistë. Jo të gjithë mund të vinin në atë bazë që ishte Tarasi. Aty vinte Nakoja, Nexhmija e ndonjë tjetër. Nuk takonte Enveri dokëdo, se është rasti që jemi në ilegalitet dhe kaq. Por Enveri dallohej dhe nga autoriteti. Urdhrat e tij ishin të padiskutueshëm për të gjithë. Këtë e kishim vënë re qartë.
Për Nexhmijen, e dinit që ishte e fejuara apo e dashura siç mund ta konsideronit?
Patjetër. Këtë e kishim vënë re. Ishte ajo mënyra e thjeshtë se si vinte Nexhmija te Enveri. Madje, nëna ime shumë herë që bënte ëmbëlsirë e linte dhe një pjesë për Nexhmijen, duke thënë se këtë pjesë e kemi për Nexhin kur të vijë. Enveri kënaqej që nëna mendonte për Nexhmijen. Pastaj, siç dihet, ata u martuan menjëherë pas çlirimit.
E lamë fillin e bisedës te Siri Kodra. Ju ndërhytë te Enveri?
I thashë Enverit që Siriu ka dëshirë që të shkojë me patjetër në batalion, por Nexhmija nuk e ka lejuar duke i thënë se duhet këtu më shumë. Por ai këmbëngul se do të shkojë drejtpërdrejti në luftë.
"Mirë, mirë, - tha ai, - ma kujto kur të vijë Nexhmija këtu".
Ashtu bëra. Në rastin e parë që erdhi Nexhmija në shtëpi ia kujtova menjëherë Enverit kërkesën e Siriut.
Atëherë u vra?
Ai u gëzua shumë kur u lejua të shkonte në çetën partizane. Duket sikur bëj retorikë, por nuk e harroj atë shpërthim gëzimi kur i dhashë lajmin se do të shkonte në batalion me vendim të komitetit të rinisë antifashiste. Vëllai i tij i madh, Zijaudin Kodra, që ishte profesor në Normalen e Elbasanit i dha para për të blerë një pushkë. Ishte viti 1942. Iku në formacionet partizane të Çermenikës. Për pak kohë u bë zëvendëskomisar batalioni. Një vit më vonë, pra në vitin 1943 ai u vra në zonën e Pogradecit, ku historia heroike e tij tashmë dihet dhe nuk është nevoja ta përsëris në këtë intervistë.
Ndërsa ju të tre ngelët në Rini?
Që nga ajo kohë ne u ndamë të tërë dhe nuk jemi takuar deri në nëntorin e vitit 1944 kur u çlirua Shqipëria. Fillimisht u futëm në Rininë antifashiste këtu në kryeqytet. Sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë antifashiste të Shqipërisë në atë kohë ishte Nako Spiru. Nakoja mori vendimin që unë të shkoja sekretar i parë i rinisë antifashiste të Dibrës së Madhe. Ramizi u dërgua në Berat po si sekretar i rinisë, ashtu si edhe Manush Alimani, që u dërgua me të njëjtën detyrë në Shkodër.
Aty në Dibrën e Madhe, unë kam qenë në krah të Haxhi Lleshit. Mund të them me plot gojën, se jeta ime atëherë ka shpëtuar personalisht nga Haxhi Lleshi.
Dhe ju shokët e ngushtë nuk u takuat më deri në vitin 1945?
Po. Deri në çlirimin e Shqipërisë ne nuk u pamë më. Unë, sipas urdhrit të marrë, mora rrugën në mënyrën më urgjente për në Dibrën e Madhe, ku u takova menjëherë me Haxhi Lleshin. Kështu kishin bërë dhe shokët e mi, Ramizi me Manushin. Me Ramizin pastaj u takuam vetëm pas çlirimit, në kursin veror 3-mujor për të marrë maturën që kishim ndërprerë kur kishim nisur luftën.
Kur e ndërpretë Maturën, kur ikët në rrethe me punët e rinisë?
Jo, jo. Maturën e ndërpremë që kur u hodhëm në ilegalitet.
Ju dinit për Ramizin ndonjë haber, deri në atë kohë kur u takuat në kursin e maturës së '45-ës?
Dija që Ramizi kishte ecur shumë në karrierë. Ai kishte shkuar në Berat. Ishte bërë Komisar Divizioni, ku kishte luftuar dhe drejtuar me zgjuarsi në territorin e Kosovës.
Vazhdimësia, si mbaruat maturën që kishit lënë përgjysmë?
Kur mbaruam maturën, Ramizi vazhdoi me detyrën e komisarit të Divizionit, ndërsa më mbrapa ai u zgjodh Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, pasi në Helmës ishte zgjedhur anëtar i Sekretariatit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.
Ju, ndërkohë ku ishit?
Unë isha Drejtor i Kabinetit të Enver Hoxhës. Në këtë kohë takoheshim rregullisht. Komiteti Qendror i Rinisë ishte aty ku sot është selia e të përndjekurve, pranë lulishte 1 Majit. Shkoja rregullisht te Ramizi apo merrnim rregullisht njëri-tjetrin në telefon. Pra, e kemi mbajtur shoqërinë siç e kemi pasur në fillim. Që atëherë i kemi folur njëri-tjetrit me nofka konfidenciale dhe dashamirëse, ku unë i thoja "Ramo Bej" ndërsa ai më thoshte "Zako Bej".
Madje, mbaj mend një herë që në konfidencë të madhe më ka treguar dhe një sekret të veçantë, që lidhej me një mënyrë reagimi apo si të thuash nënvleftësimi dhe përçmimi që ka përdorur Nako Spiru ndaj meje.
Pse, si ishte puna?
Kur kam qenë Sekretar i parë i Rinisë në Peshkopi, i shkruajta një letër personale Nakos, duke i folur disi konfidencialisht se e konsideroja siç më kishte thënë dhe vetë, si vëlla të madh, për faktin se ai kishte ngrënë te unë një thes me fasule. Letrën që nga Peshkopia ia dërgova me Haki Stërmillin, që ishte Kryetar i Këshillit popullor të Peshkopisë. Hakiu do të takohej me Nakon në shtëpinë e Sami Bahollit në Labinot. Por kur Nako kishte marrë letrën time, dhe duke e ditur që ishte konfidenciale, që i adresohej vetëm atij, kishte ngritur zërin duke dëgjuar dhe të tjerët, madje duke u thënë: Shikoni si më shkruan Zeqiu, sikur të më ketë djalin e hallës.
Pse reagoi në mënyrë të tillë, kur siç po thoni, paska ndenjur edhe në shtëpinë tuaj, madje për një kohë shumë të gjatë?
Ishte i tillë. Siç thonin të gjithë, Nako ishte shumë tinëzar dhe hakmarrës.
Kush jua tha juve?
Jua tregova pak më lart, që ma ka treguar në konfidencë shumë të madhe Ramizi, kur unë e takoja te Komiteti Qendror i Rinisë ku ishte Sekretar i parë. Në një nga ato ditë ai më tregon edhe historinë e letrës, të cilën ia kishte dorëzuar në dorë Haki Stërmilli.
Ia thatë Nakos?
Ruajta momentin dhe ia thashë. Ka qenë koha kur Enveri banonte dhe punonte në Pallatin e Brigadave, pasi i riparohej shtëpia. Atëherë unë shkoja çdo mëngjes në pallatin e brigadave me makinën e tij, se më merrte shoferi i tij Isuf Çoba te shtëpia. Enveri zgjohej gjithmonë në të njëjtën orë dhe futej në zyrën që e kishte në katin e parë po në të njëjtën orë. Kështu, kush kishte për ta takuar nga shokët e udhëheqjes vinte më parë dhe shkonte në zyrë, ndërsa në rastin kur ata vinin para orarit prisnin derisa Enveri të hynte në zyrë. Në një prej këtyre ditëve, vjen para orarit për të takuar Enverin edhe Nako Spiru. Por ndryshe nga të tjerët, ai shumë kapardisur, madje pa treguar ndonjë etikë, që duhej sa për respekt aq edhe për detyrë, më pyeti: - "Ka zbritur Enveri"?
Pra, nuk tha "shoku Enver" por tha "Enveri".
Unë i thashë që nuk kishte zbritur akoma. Aty pastaj i hapa muhabetin e letrës, ku i sqarova: "Të bëra një letër duke të konsideruar si vëlla më të madh, por t'i nuk më pranove as si djalë halle dhe jo më të më pranoje si vëlla".
Si reagoi?
Më pyeti se kush më kishte thënë duke deklaruar se s'ishte e vërtetë. Sigurisht, unë as që mund t'i tregoja se ishte fjala për Ramiz Alinë, se siç të thashë ai ishte hakmarrës i madh.
Zoti Agolli. Thatë që në shtëpinë tuaj ka ardhur dhe Qemal Stafa. Si e ke njohur atëherë. A ju ka bërë përshtypje?
Po, ka ardhur. Po të tregoj rastin e parë që e kam takuar, pra që ka ardhur për herë të parë në shtëpinë tonë. Ka qenë janari i vitit 1942. Kishte rreth dy muaj nga themelimi i Partisë kur në shtëpinë tonë u organizua një mbledhje përkujtimore me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së Leninit, në të cilën erdhi për të na folur Qemal Stafa.
Qemal Stafa paska ardhur në shtëpi para se të vinte Enver Hoxha, pasi më thatë se Enveri ka ardhur për herë të parë në qershorin e vitit 1942, kur në shtëpinë tuaj ishte marrë vendim të zhvillohej mbledhja e jashtëzakonshme, ku u goditën Anastas Lula dhe Sadik Premtja si fraksionistë, apo jam gabim?
Po, po, shumë më parë se të vinte Enveri, madje Qemal Stafën e kisha njohur mirë në shkollë, ndërsa Enver Hoxhën as e kisha njohur dhe as dija gjë për të. Edhe kur erdhi në shtëpinë tonë, Enveri u paraqit me emrin Taras dhe ashtu e kemi njohur nëntë muaj sa ndenji aty në ilegalitet, duke e pasur si bazë kryesore të tij.
Kush merrte pjesë në mbledhjen e janarit, kur do të përkujtohej vdekja e Leninit?
Në këtë mbledhje merrnin pjesë të rinj e të reja nga aktive të ndryshme të rinisë së gjimnazit. Bëheshin gjithsej rreth 30 vetë.
Kush të kujtohet ndonjë emër që më vonë ka qenë shumë i njohur?
Ramiz Alia, Alqi Kondi, Pirro Kondi, Manush Alimani, Siri Kodra, Jashar Mezelxhiu, Ali Sina, Galip Hatibi, Skënder Kosturi, Mufaret Dhrami, Jovan Andoni, Sokrat Hobdari, Fiqiri Basha etj.
Si u takuat me Qemalin?
Pasi erdhën shokët, unë dola jashtë në rrugë për të pritur Qemal Stafën. Ishte mbrëmje vonë, thuajse errësirë, kur erdhi ai. Kishte veshur me një mushama të zezë, pantallona sporti dhe në kokë kishte vënë një kasketë. Kur hynë në shtëpi së pari ai hyri në kuzhinë ku hoqi mushamanë dhe kasketën. Biseduam disa minuta për familjen time, mbasi pyeti hollësisht ai vetë.
Thatë se e kishit njohur më parë Qemal Stafën në shkollë kur ishit gjimnazistë?
Unë e njihja Qemalin për fytyrë, se e kisha parë në gjimnaz kur ai ishte në klasat e larta, por deri atëherë nuk kisha pasur rastin ta takoja e të bisedoja me të. Por në atë mbledhje pashë që ai kishte një mprehtësi intelektuale të habitshme. Nuk të linte aspak dyshim që ishte i jashtëzakonshëm. Çështjen e trajtonte në mënyrë brilante. Ndërsa fliste për Leninin na la me gojë hapur.
Të lutem, mos iu largo fillit të subjektit që po më rrëfen. Çfarë bëri, si hoqi mushamanë dhe kasketën në kuzhinë?
Hymë në dhomën ku na prisnin shokët, të cilët ishin ulur ca në minder dhe shumica përtokë në qilim, pasi siç ju thashë ishin shumë dhe nuk i nxinte të gjithë. Në dhomë ishte vetëm një karrige, që e kishim për Qemalin.
Më thatë se e patë që shkëlqeu në drejtim të prezantimit të tij intelektual. Si e konstatuat dhe çfarë tha konkretisht gjatë asaj mbledhjeje?
Siç të thashë, atë natë mbusheshin 18 vjet nga dita që kishte vdekur Lenini, i cili ishte një simbol për lëvizjen komuniste që kishte nisur në Shqipëri. Për këtë arsye atë natë do të përkujtohej figura e tij, prandaj edhe ishim mbledhur. Fjalën e hapi shoku im Galip Hatibi, i cili ndër të tjera e mbaj shumë mirë mend që tha:
- Jemi mbledhur këtu për të përkujtuar 18-vjetorin e vdekjes së Vladimir Iliç Leninit, i cili ishte një supernjeri...
Mbas tij e mori fjalën Skënder Kosturi dhe në fund Qemali, i cili e filloi në një mënyrë duke bërë vërejtje apo sugjerim për parafolësit, duke u shprehur:
- Përpara se të flas për jetën dhe veprën e Leninit dua të sqaroj diçka mbi sa u shpreh Galipi, i cili duke dashur të ekzaltojë figurën e Leninit ndër të tjera tha se ka qenë supernjeri. Jo. Lenini nuk ka qenë supernjeri, se për komunistët nuk ka supernjeri. Lenini ka qenë një njeri i madh. Ka qenë zheni, udhëheqës i shquar i revolucionit të Tetorit, i lëvizjes revolucionare të popullit kundër një zgjedhe mbytëse. Supernjerëz e mbajnë veten Musolini me Hitlerin, por jo ne. Më tej ai vijoi për më se një orë e gjysmë me elokuencë dhe erudicion për Leninin dhe veprën e tij, sa na la me gojë hapur.
Vijoi të vinte pas kësaj në shtëpinë tuaj?
Nuk mundi, pasi vetëm pesë muaj pas asaj dite ai ra heroikisht, duke luftuar me fashistët që e kishin rrethuar në një shtëpi bazë të luftës. Pra, ajo ishte mbledhja e parë dhe e fundit e tij në shtëpinë tonë.
(Vijon në numrin e ardhshëm)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›