Zërat e rinj lirikë, në konkursin Jorgjia Truja
prof. Zhani Cikos. Konkursi i Zërave Lirikë Jorgjia Truja edhe këtë vit, sikurse ka ndodhur në edicionet e mëparshme përfshiu një numër të madh të rinjsh. Pjesëmarrësit e këtij viti zënë një hapësirë të madhe gjeografike mbarëshqiptare duke qenë se ata ishin nga shkolla e muzikës së Prizrenit, Prishtinës, Durrësit, Tiranës, Korçës etj, dhe nga Akademia e Arteve-Tiranë sikurse dhe nga Fakulteti i Muzikës së Universitetit të Prishtinës. Anëtarë të Jurisë ishin figura të karrierës ndërkombëtare si sopranoja amerikane Barbara Pearson, sopranoja italiane Paola Reali, sopranoja kosovare Elife Podvorica-Jashari, z. Zhani Ciko, kryetar jurie, i cili drejtoi edhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në koncertin e finalistëve si dhe personalitete të artit tonë. Përveç çmimeve të deklaruara për tre kategoritë sipas grupmoshave, në edicionin e këtij viti u nda edhe çmimi special "Quinzio Petrochi" për interpretimin më të mirë të lirikës italiane, të cilin e dha personalisht sopranoja e famshme Paola Reali në cilësinë e anëtares së jurisë, sikurse dhe çmimi Ramiz Kovaçi, i cili iu dha baritonit më të mirë. E veçanta e edicionit të këtij viti konsiston në faktin se aktiviteti zhvillohet në 100 vjetorin e lindjes së Artistes së Popullit Lola Gjoka. Kësisoj në nder të kësaj artisteje të jashtëzakonshme, e cila pa kurrfarë hezitimi mund të quhet ndër iniciatorët e klasës pianistike shqiptare u dha edhe çmimi special Lola Gjoka për interpretimin më të mirë të këngës artistike popullore. Shoqata Epta-Albania, organizatore e këtij aktiviteti, rithekson në këtë mënyrë një prej prioriteteve të saj që është rivlerësim i artistëve shqiptarë të cilët me punën e tyre hodhën themelet për shkollën e artit muzikore. Sikurse ka ndodhur edhe në edicionet e mëparshme, përveç çmimeve, për fituesit do të akordohen bursa studimi dhe do të ofrohet mundësia e mbajtjes së koncerteve. Kështu pra është planifikuar që në muajin tetor fituesit e Edicionit të VI të Konkursit Mbarëkombëtar të Zërave Lirikë Jorgjia Truja të mbajnë një koncert në Prishtinë me Orkestrën Filarmonike të Prishtinës. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe koncertin që do të mbahet në muajin Nëntor në qytetin e Korçës, që është edhe qytetit i lindjes së artistes së popullit Lola Gjoka. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet në sallën Tefta Tashko MTKRS dhe në TKOB nën kujdesin e Ministrit të MTKRS z Ferdinand Xhaferraj si dhe me mbështetjen e Prohelvetia, RTSH, TKOB, AAB-Tiranë, Akademisë së Muzikës Prishtinë dhe Shkollës Kombëtare Artistike Jordan Misja.
MTKRS sjell më afër Vaçe Zelën
Në datën 23 Maj në qytetin e Bazelit të Zvicrës është zhvilluar aktiviteti i promovimit të Albumit Special Muzikor Vaçe Zela Larg dhe Pranë Njerëzve. Aktiviteti kishte në fokusin e tij promovimin e albumit special muzikor për Vaçe Zelën, e cila jeton prej vitesh në Basel. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka mbështetur financiarisht përmbledhjen dhe botimin e plotë të të gjitha të krijimtarisë së këngëtares Vaçe Zela dhe bëri të mundur nëpërmjet Sektorit të Kulturës së Diasporës në MTKRS organizimin e aktivitetit. Zv/ Ministrja Tuku, duke falënderuar këngëtaren e madhe Vaçe Zela për këngët e bukura që i ka dhuruar shqiptarëve. Për nder të këngëtares së madhe Vaçe Zela, erdhi nga Londra tenori Saimir Pirgu, dhe për nder të saj interpretoi pjesë të zgjedhura të repertorit të kompozitorëve klasikë botërorë. Me tingujt e muzikës shqiptare dhe të flamurit kombëtar kjo mbrëmje e cilësuar si më e arrira e zhvilluar në diasporën shqiptare u ndoq dhe u pasqyrua gjerësisht nga media zvicerane si dhe nga Televizioni Publik Shqiptar. Merrnin pjesë personalitete të ndryshme si: zv/Ministria e Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, Këshilltar i Ministrit Bardhyl Londo, Ambasadori i R. Shqipërisë në Zvicër, z. Mehmet Elezi, Nazmi Jakurti, Kryetar i Degës së Zvicrës të Lidhjes Shqiptare në Botë, Skënder Nikoliqi Kryetar i ABSM (Këshillimores Shqiptare të Baselit).
Woyzeck, nesër në skenën e arteve
Në skenën e Akademisë së Arteve regjisori gjerman Stefan Neugebauer do të sjellë nesër një vepër teatrore, e cila do të interpretohet jo vetëm nga aktorë shqiptarë, por dhe italianë, gjermanë dhe francezë. Nën titullin Woyzeck premiera teatrore vjen për publikun në këtë sezon, ku skena e arteve ka qenë e pushtuar nga shfaqjet dhe jo vetëm teatrore. Vepra Woyzeck vjen në skenën shqiptare, si një bashkëprodhim midis katër vendeve. Emri i tij është Woyzeck (Vojcek) dhe është shqiptar, kjo ka ardhur pasi Stefan Neugebauer, regjisori i dramës që mban për titull emrin e protagonistit, i ka zhvendosur ngjarjet nga Gjermania e gjysmës së parë të shekullit të 19-të në Shqipërinë e sotme. Vepra e dramaturgut dhe shkrimtarit Georg Buchner shfaqet premierë më 27 maj në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, për të vijuar dhe në datat 29 dhe 30 maj. Në vepër interpretojnë Irgen Çela (Vojcek), Suela Çerri (Maria), Gerolamo Fancellu (Kapiteni), Frantz Helmer (Doktori), Folke Paulsen (Majori), Marjan Deda (Muzikanti), Emiljano Palali (Andres), Laura Nezha (Margret). Muzika është kompozuar nga Marjan Deda, skenografia një realizim nga Edlira Bozo, asistent regjisor Florand Veizi.
Prolog Giffoni, traditë e filmit në Durrës
Pas projeksioneve të suksesshme në qytetet turistike të Sarandës, Vlorës dhe Pogradecit, prej dy ditësh Prolog Giffoni ka ndaluar në Durrës. Ky qytet, prej katër vjetësh tashmë është pjesë e itinerarit të Giffoni Film Festival, duke sjellë për fëmijët dhe të rinjtë prodhimet më të mira kinematografike botërore. Në atmosferën e një qyteti që ka çelur sezonin turistik, projeksionet e Prolog Giffoni kanë qenë të pranishme në ambient të hapur dhe në sallën e teatrit Aleksandër Moisiu, në mungesë të një salle kinemaja. Për të përshëndetur festivalin kanë qenë të pranishëm edhe dy drejtuesit e pushtetit lokal të qytetit, kryetari i bashkisë z. Vangjush Dako dhe prefekti z. Genci Alizoti. Un sogno ad oçhi aperti (Ëndërr me sy hapur), një bashkëprodhim anglezo-francezo-gjerman i regjisorit Paul Morrison ka krijuar një atmosferë gjithpërfshirëse në teatrin Aleksandër Moisiu.Duke vazhduar këtë dialogim të drejtpërdrejtë dhe të natyrshëm, Prolog Giffoni udhëton sot drejt Lezhës për të takuar të tjerë fëmijë e të rinj e për ti sjellë më afër kinemasë.