E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zërat kundër, Rama ndërmerr “katarsisin”

30/05/2011  Rifreskimi i forumeve pas vendimit për Bashkinë e Tiranës

Partisë Socialiste do të rifreskojë forumet e saj drejtuese. Kështu, pas mbylljes në mënyrë përfundimtare të të gjithë procesit zgjedhor, ku vëmendja kryesore është te Bashkia e Tiranës, lidershipi socialist do të nisë “katarsisin” në radhët socialiste, duke larguar të gjithë zërat kundër tij. Ndërkohë që përveç ndryshimeve të pritshme në forumet drejtuese të partisë më të madhe opozitare, kupola rozë do të përcaktojë dhe qëndrimin e saj politik përballë kundërshtarit, e kjo në varësi të vendimit që do të marrin institucionet e ngarkuara me ligj, lidhur me garën për drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.

Axhenda

Lidershipi socialist ende nuk ka përcaktuar kohën kur do të ndodhin ndryshimet në organet vendimmarrëse të Partisë Socialiste, por ajo që dihet tashmë është fakti se si kryesia, ashtu dhe asambleja kombëtare do t’i nënshtrohen një procesi të tillë. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të ketë ndryshime në strukturat drejtuese të partisë. Ndryshimet më të dukshme dhe që pritet të sjellin edhe polemika janë ato në kryesinë e PS-së. Nga ndryshimet e reja bie në sy një spastrim i zërave kritikë ndaj Edi Ramës. Në këtë mënyrë, Edlira Haxhiymeri, Mimoza Havizi, Eva Allushi (e dorëhequr), Andis Harasani, Kastriot Islami, Saemira Pino nuk do të jenë më anëtarë të këtij forumi. Mësohet se kreu Rama dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij në parti po diskutojnë për të sjellë në kryesi disa emra të cilët kanë qenë aktivë kohët e fundit, për të zëvendësuar disa figura të cilët janë treguar mjaft kritikë ndaj drejtimit të opozitës.

Votëbesimi

Ndryshimet apo rifreskimi, sidomos i këtyre dy forumeve të PS-së, pra i kryesisë dhe asamblesë, ishte menduar që të ndërmerrej që vitin e kaluar, por nisur nga situata politike në të cilën ishte përfshirë PS, si dhe afrimi i një tjetër fushate zgjedhore, shtynë vënien në punë të kësaj ideje. Ndërkohë një nismë e tillë diktohej më së tepërmi dhe nga ndryshimet më të fundit në statutin e PS-së. Kështu, me zgjedhjen e 36 kryetarëve të rinj të rretheve, të cilët bëhen anëtarë të asamblesë automatikisht, në bazë të statutit, ndryshojnë edhe raportet në këtë forum. Asambleja ka 161 anëtarë dhe bashkë me 36 të rinjtë shkon në 197. Veç kësaj, ka edhe një shkelje statutore se anëtarët që hyjnë automatikisht janë më shumë se ata që zgjidhen me votë. Për të çuar numrin e asamblesë kombëtare në 161, sipas statutit, të gjithë anëtarët aktualë do të kalojnë një provë votëbesimi, në garë edhe me të tjerë emra që do të propozohen gjatë procesit.

Kryesia e PS-së

Prej kohësh vendimet që kërkojnë vulën e anëtarëve të kryesisë socialiste kalojnë jo me të gjitha votat e anëtarësisë së këtij forumi. Kjo për vetë faktin se një pjesë e anëtarëve të saj jo vetëm që nuk janë më pjesë e vendimmarrjes, por as që njoftohen për të qenë pjesë e këtyre mbledhjeve. Kështu, që pas humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009, një pjesë e anëtarëve të kryesisë kundërshtuan mënyrën se si po drejtohej partia, e për më tepër nuk u pajtuan me qëndrimet në vijim të zërit zyrtar të kësaj partie. Por kundërshtia e tyre nuk u mor parasysh, duke sjellë vetëlargimin e tyre në disa raste, ose mospjesëmarrjen në mbledhjet e strukturave drejtuese në raste të tjera. Ndër këta emra, njëkohësisht anëtarë të kryesisë së PS-së, veçojmë Edlira Haxhiymerin, Mimoza Hafizi, Andis Harasani, Kastriot Islami, Saemira Pino dhe Eva Allushi.

Ndryshimet në Statut

Në nenin 26 të kushtetutës së PS-së përcaktohet se në asamblenë kombëtare, kryetari i PS, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, kryetarët e PS të rretheve, kryetari i FRESSH dhe kryetarja e FGSSH janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PSSH. Gjithashtu, përcaktohet se asambleja kombëtare e PS ka 161 anëtarë. Por me ndryshimet e reja në statut, u rifut kreu i rrethit si pjesë e strukturave të partisë, i cili zgjidhet nga forumet lokale, siç është asambleja. Madje, përfaqësuesi i këtij posti do të ishte anëtar i drejtpërdrejtë i asamblesë, duke sjellë një numër më të madh se ai që përcakton statuti. Përmes këtyre ndryshmeve, PS do të ketë dhe një sekretar partie për çdo Zonë të Administrimit të Zgjedhjeve (ZAZ), si dhe institucionin e koordinatorit të qarkut.

Procesi zgjedhor

Manjani: Rama të pranojë humbjen në Tiranë

Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri thirrje dje Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj të njohin vendimmarrjet e institucioneve të ngritura me ligj për proceset zgjedhore. Kështu, sekretari i Çështjeve Ligjore pranë, LSI-së, Ylli Manjani, i kërkoi kryetarit Rama të pranojë humbjen në Tiranë dhe t’i drejtohet gjykatës nëse ka kontestime për procesin. Përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ, e cilësoi procesin e numërimit të votave brenda të gjitha standardeve, pasi sipas tij fletët e votimit kanë pasur të gjitha elementët e sigurisë. “Fleta e votimit është një dokument zyrtar shumë i mbrojtur. Përveç elementëve të sigurisë që parashikon Kodi Zgjedhor për këto zgjedhje, me kërkesë të posaçme të Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe elementë të tjerë shtesë sigurie, sipas së cilës kryetari dhe nënkryetarja e KQZ-së kishin të drejtë të vendosin një shenjë të fshehtë në fletën e votimit. Pra, zonja Subashi, përfaqësuese e deklaruar tashmë e zotit Rama në KQZ, ka vendosur një shenjë të fshehtë, të cilën nuk e kontestoi gjatë gjithë procesit të numërimit. Ne dëshirojmë ta ftojmë zotin Rama dhe të tjerët rreth tij, të qetësohen, të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, të pranojnë faktin se kryetari i PS-së doli për herë të parë në opozitë dhe t’i kthehen jetës institucionale në vend”, theksoi Manjani gjatë deklaratës së tij për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›