Zëvendësi i Berishës
Tregojnë një barsoletë, që në fakt është një thënie e avokatit të shquar të politikës aktuale shqiptare, Spartak Ngjela. I përket shtatorit 2005, kur sapo ishte formuar kabineti “Berisha” dhe të emëruarit si këshilltarë ishin në qiellin e shtatë. E rrethuan avokatin dhe e mbytën me superlativa për punën e re që do të bënin në stafin e ngushtë të Doktorit. “Ngadalë, mo, ngadalë, kur të arrini t’i jepni këshillën e parë Berishës, do t’u jap drekë të gjithëve sa jeni!”. Këshilltarët që guxuan të jepnin ndonjë sugjerim, sot janë ish-a dhe kanë mbetur vetëm ata që zbatojnë këshillat e Kryeministrit.
Kështu edhe puna e ministrave. Kush doli kundër tij u bë ish, ndër ta edhe zëvendësi i tij i shtatorit 2005, Ilirjan Rusmajli, i cili u “internua” si ministër Drejtësie dhe më pas u shkarkua, demek duke dhënë dorëheqje, pse nuk i bindej Drejtori i Burgjeve dhe i kishin përgjuar një bisedë “kompromentuese” të të vëllait. Por prej 20 marsit 2008, vendi i zëvendëskryeministrit është bosh, sepse Oketa është ministër i Mbrojtjes dhe nuk është zëvendësuar. Do ta plotësojë Doktori me një figurë të zgjedhur vetë me shumë kujdes. Është edhe me republikanët, edhe me demokratët dhe përfaqëson vlerat e shoqërisë civile prej nga vjen. Është Lajla Përnaska, figurë e zgjedhur nga PD-ja, por që me listë është futur në grupin parlamentar të PR-së. Dhe me të bëhet një rrugë e dy punë: Edhe gjendet zëvendëskryeministri, edhe kënaqet egoja e republikanëve për t’u përfaqësuar në qeveri. “Posti i Zëvendëskryeministrit do të plotësohet. Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri, dhe do të përfaqësohet në qeveri”,- siguroi dje Kryeministri dhe do ta bëjë, duke ua bërë qejfin edhe grave.