E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë, rritja e re shtyhet për 6 muaj

 

Nepravishta: Për vitin 2008, nuk do të ketë më rritje të çmimit të energjisë elektrike

Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet më gjatë këtij viti, pavarësisht kërkesës së bërë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN, gjatë vizitës së saj në Shqipëri ka kërkuar nga ana e Entit Rregullator të Energjisë që të ndërmarrë një rritje të re të çmimit, por ERE ka deklaruar se nuk e sheh të nevojshme një rritje shtesë të çmimit të energjisë. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta ka deklaruar se për këtë vit, kostot e prodhimit të energjisë janë miratuar me rritjen e çmimit që u bë më 1 mars. “Gjatë takimit që patëm me FMN-në, ne argumentuam metodologjinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe shpjeguam se nuk duhet të ketë një rritje tjetër të çmimit këtë vit. Në vizionin tonë, nuk ka asnjë arsye që tarifat e energjisë të rriten sërish brenda 2008-ës”,- ka deklaruar Nepravishta. Pavarësisht se nuk do të ketë një rritje të re të çmimit të energjisë për këtë vit, gjatë vitit 2009 do të ketë një analizë të situatës, që mund të sjellë edhe një çmim të ri për energjinë. Pas një kërkese të bërë nga ana e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, ERE rriti çmimin e energjisë gjatë muajit Prill. Por rritja ishte jo në nivelin e duhur sipas KESH dhe për këtë arsye, KESH kërkoi edhe një rritje të re çmimi, që u përkrah edhe nga Fondi. Për vendimin e marrë nga ERE pati edhe një përplasje me KESH, por Enti sqaroi se humbja që vjen në KESH nuk është nga çmimi i energjisë, por nga keqmenaxhimi i Korporatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›