E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyert e BE-së mbyllen sërish për Shqipërinë

 

Brukseli fillon negociatat me Beogradin dhe Shkupin: Pa viza, në fillim të vitit të ardhshëm

Pas bllofit të “lehtësimit të vizave”, Tirana është shumë prapa fqinjëve në rrugën për liberalizim të plotë

Tre vende ballkanike, kanë hyrë në garë për liberalizimin e vizave me zonën Shengen. Dy prej tyre, kanë deklaruar se do të plotësojnë kushtet dhe do të marrin liberalizimin brenda këtij viti. I treti, Shqipëria, ka deklaruar se do të punojë për plotësimin e kushteve, por nuk ka dhënë afate.

Dje, Maqedonia mori një dokument me kushtet që duhet të plotësojë për liberalizimin e vizave, njoftoi Balkantravellers.com. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jacques Barrot, nënshkroi dje në Serbi “hartën e rrugës” që duhet ndjekur për liberalizimin e vizave dhe Zëvendëskryeministri serb, deklaroi se vendi i tij mund t’i plotësojë kushtet brenda këtij viti. Në fund të vitit, BE do të vendosë se kush nga vendet e Ballkanit do të hyjë në “listën e bardhë Shengen”, një listë vendesh, qytetarët e të cilëve do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në të gjithë kontinentin.

Ndërsa Shkupi dhe Beogradi shpallën fundin e këtij viti si data për liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha deklaroi në Tiranë, dy ditë më parë, se “Shqipëria do të bëjë reformat e kërkuara”, por nuk dha afate dhe nuk e përmendi vendimin e fundvitit të Komisionit Europian.

Realpolitikë në Bruksel

Komisioni Europian duket shumë i angazhuar të ofrojë maksimumin e mbështetjes për forcat proeuropiane të politikës serbe dhe duket se premtimi i Barrot për liberalizim vizash më 2009, lidhet ngushtë me zgjedhjet e 11 majit në Serbi. Kjo realpolitikë duket se po jep efekt negativ për shqiptarët, një popull që nuk kanë dilema mbi të ardhmen Evropiane, e për pasojë, nuk kanë çfarë të tregtojnë me burokratët e Brukselit. Kushtet e ofruara nga BE, për të gjitha vendet e Ballkanit, janë të njëjta: siguri dokumentacioni, luftë kundër korrupsionit dhe kontrabandës, kontroll efikas i kufirit. Por për Serbinë dhe Maqedoninë ka një datë, kurse për Shqipërinë, ka vetëm premtim. Shqipëria nënshkroi një Marrëveshje Lehtësimi Vizash në vitin 2006, por duket se asnjë shqiptar nuk ka marrë deri më sot ndonjë vizë të lehtësuar. Në ambasada, kërkohet i njëjti mal me dokumente. “Marrëveshja që kemi nënshkruar nuk është imperative por konsultative për konsullatat”, - deklaroi disa kohë më parë një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Shqiptare. Lehtësimi i vizave u premtua nga Brukseli, në shkëmbim të marrëveshjes së riatdhesimit dhe ripranimit të emigrantëve të paligjshëm. Kjo marrëveshje ka kthyer në Shqipëri rreth 50 mijë emigrantë të paligjshëm.

Bullgaria heq vizat me Moldavinë e Ukrainën, por jo me ne

Agjencitë bullgare të lajmeve njoftuan se Sofia miratoi ndryshime në marrëveshjes e lëvizjes së lirë me Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Sipas marrëveshjeve të reja, qytetarët Bullgarë mund të hyjnë, kalojnë apo qëndrojë pa vizë paraprake, deri në gjashtë muaj, në të tria këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë. Qytetarët moldavë dhe ukrainas kanë të njëjtat të drejta në Bullgari, ndërsa qytetarët shqiptarë do të vijojnë të kenë nevojë për vizë.

Ky është bllofi i radhës i diplomacisë shqiptare. Një vend tjetër, kërkoi dhe mori liberalizimin e lëvizjes për qytetarët e vet në Shqipëri, ndërsa shqiptarët do të vijojnë të kenë nevojë për viza. Për më tepër, përballë faktit se moldavët dhe ukrainasit fituan gjithashtu liberalizim vizash me Bullgarinë, po jo ne.

Zyrtarë të BE-së kanë bërë të ditur, më herët, se “problemi qëndron te aftësitë negociuese të palës shqiptare”. Gjatë negocimit të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, Serbia dhe vende të tjera të Ballkanit arritën të marrin kushte shumë më lehtësuese se Shqipëria. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme Gjermane, rreth 50% e serbëve kanë marrë viza Shengen falas që nga janari i këtij viti, ndërkohë që ky lehtësim për Shqipërinë është kufizuar vetëm në zyrtarët e lartë dhe gazetarët. Për më tepër, marrëveshja e lehtësimit me Shqipërinë nuk kishte efekt detyrues për konsullatat e vendeve Shengen e për pasojë, shumë pak ambasada pranuan të zbatojnë “kërkesa të lehtësuara”.

Defekt te “Kosova B”, ndërprerje dritash në Prishtinë

Një defekt në Bllokun B1, në Termocentralin e vetëm të Kosovës në punë, shkaktoi dje ulje të menjëhershme të prodhimit dhe për pasojë, krijimin e një situate emergjence, njoftoi media vendëse. Blloku 2 i Termocentralit “Kosova B” tani është i vetmi në punë dhe ka një prodhim prej 260 megavat/orësh. Kosova importon gjithashtu edhe 100 megavat nga Shqipëria. Kjo sasi energjie është e mjaftueshme sa për të furnizuar në kohë të pjesshme qytetarët e krahinës. Pothuajse të gjithë banorët e Kosovës po vuajnë aktualisht kufizime të energjisë elektrike nga 5 në 12 orë në ditë. Zyrtarët e KEK, nuk bënë të ditur se kur mund të riparohet defekti.

Kushte mesjetare pune në Greqi

Një investigim i gazetës greke “Eleftherotipia”, zbuloi kushte të tmerrshme pune për një grup punëtorësh emigrantësh në fshatin Nea Manolada, 270 kilometra në jug të Athinës. Gazetarja Dina Daskalopoula raportoi se emigrantët nga Shqipëria, Bullgaria e vende të tjera, punonin deri në 15 orë në ditë, përkundrejt një pagese prej 22 eurosh për gjashtë orët e para, plus 3.5 euro për çdo orë shtesë. Pagesa është 8 euro më e ulët se paga minimale ligjore në Greqi.

Artikulli nxiti punëtorët të dilnin në grevë, ndërsa pas disa ditësh përplasjeje, pronarët pranuan të rrisnin pagat deri në 28 euro në ditë. Në grevë u solidarizuan disa sindikata greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›