E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në forumin ekonomik “Të investosh në Shqipëri. Avantazhe dhe mundësi”

“Para së gjithash më lejoni tu përshëndes përzemërsisht ju përfaqësuesve të biznesit italian, të përshëndes organizatorët e këtij takimi dhe të shpreh nderimin tim më të madh për ju arbëreshët e Italisë, gjakun tonë të shprishur që keni luajtur një rol kaq të madh në historinë tonë kombëtare, në mbrojtjen dhe zhvillimin e vokacionit perëndimor të kombit tonë, në rilindjen tone kombëtare, por ne jemi krenare me ju se ju keni luajtur një rol shumë të madh edhe ne jetën e vendit mik, Italisë, i keni dhëne asaj personalitet nga më të shquarat, në fushën e kulturës, artit, të letrave, etj ndaj dhe unë dua tu përshëndes sot, të gjithë arbëreshët e Italisë dhe italianët në tërësi.

Jam shumë mirënjohës se keni sjelle me vete një numër të madh gazetarësh dhe me ketë i keni bere një shërbim të madh Shqipërisë, sepse ne kemi nevojë të madhe që biznesi italian, njëri nga bizneset më të fuqishme të planetit, të shohë tek Shqipëria të gjitha potencialet dhe oportunitetet e mëdha të saj. Vërtet në hartë Shqipëria është një vend i vogël, por ofron mundësi dhe potenciale të madha, në disa fusha.

Shqipëria është një vend me potencial të madh energjetik. Ajo ka rreth 20 miliard kilovat orë energji hidrike për tu shfrytëzuar. Shqipëria është një vend me diell më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, me një pozicion gjeografik të shkëlqyer, briri më perëndimor i Gadishullit të Ballkanit, porta e tij drejt Italisë dhe porta e Evropës drejt Ballkanit.

Shqipëria ka një treg pune nga më të shkëlqyerit më të ri, dinamik e të kultivuar. Është një vend, më malori në Evropë, por malet e saj mbartin depozita të përmasave botërore në krom, nikel, hekur, bakër, etj. Shqipëria ka një vije bregdetare prej 400 km , e tëra për tu shfrytëzuar sipas standardeve më të mira të kohës. Shqipëria po ndërton lirinë dhe demokracinë e saj bazuar në vlerat e tregut. Mbi 80 % e prodhimit të saj bruto vjen nga sektori privat. Shqipëria ka  nënshkruar MSA-në. Po lexoja dje në shtypin italian, i cili informonte italianët se BE-ja lavdëronte Shqipërinë për ekonominë e saj dhe rolin stabilizues. Shqipëria po bën përpjekje për të marrë ftesën ne NATO. Ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë. Italia është partneri ynë kryesor në të gjitha fushat, në shkëmbimet tregtare ajo zë një të tretën e të gjitha shkëmbimeve të vendit. Marrëdhëniet politike janë konstante, shumë miqësore, pavarësisht nga rrotacioni i pushteti që prodhon mekanizmi demokratik i zgjedhjeve. Marrëdhëniet në fushën e arsimit janë shumë të rëndësishme. Mbi 10 mijë studentë shqiptarë shkollohen në universitet italiane dhe janë ndër më të mirët.  Në vendin tuaj mik sipas shifrave të fundit të legalizuara punojnë rreth 500 mijë shqiptarë, ku nder ta janë mijëra biznesmenë të suksesshëm. Bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve përfshin të gjitha fushat. Ka një bashkërendim të shkëlqyer të përpjekjeve të përbashkëta për të dominuar krimin e organizuara, trafiqet, gjithashtu ka një bashkëpunim të shkëlqyer ushtarak. Njësitë tona së bashku me tuajat ndodhen në Herat. Shërbimet tona bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe përveç kësaj marrëdhëniet njerëzore midis shqiptarëve dhe italianëve janë ndër më të mirat. Për shqiptarët gjuha italiane është një gjuhë familjare, që njihet dhe flitet nga shumica e njerëzve.

Ne jemi përpjekur që të krijojmë ë një klimë të favorshme për biznesin italian dhe atë në tërësi. Për këtë qëllim jemi të angazhuar në një luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar. Dhe unë dua tu garantoj se sot Shqipëria është një nder vendet më të sigurta në Evropë. Gjatë këtyre dy viteve janë çmontuar dhe vendosur para ligjit 204 grupe dhe organizata kriminale. Bosët dhe anëtarët e tjerë janë arrestuar kudo që janë gjetur, në hotelet me pesë yje të Evropës, apo në shpellat e Alpeve. Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe për krimin e organizuar në Shqipëri.

Në dy vjet, të dashur  miq vendi ka njohur një bum turistik të vërtetë. Turizmi është rritur me 70 % krahasuar me vitin 2005 dhe nuk është regjistruar as dhe incidenti më i vogël ndaj turistëve në Shqipëri. Ne jemi të angazhuar një beteje shumë të vendosur ndaj korrupsionit, duke e konsideruar atë një kancer të vërtetë, pasi korrupsioni është para së gjithash një kancer për liritë e individit. Asgjë nuk rëndon më shumë lirinë dhe integritetin shqiptarit sesa korrupsioni. Kemi vendosur standarde të reja në administratë , të cilat nuk lejojnë përdorimin e parave publike për qëllime private dhe personale. Kjo ka bërë të mundur të shkurtohen me 40 % shpenzimet operative të administratës.

Kemi amenduar që në fillim ligjin e konfliktit dhe të interesit dhe në administratë nuk ka punonjës apo zyrtarë të çdo niveli me konflikt interesi. Në rast se ekzistojnë të tillë, ka vetëm  një alternativë, largimin prej administratës. Kemi vendosur një ligj për informantët e korrupsionit, për ti mbrojtur ata njësoj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe për ti shpërblyer ata me 6 % të vlerës që ata denoncojnë.

Rezultatet janë evidente. Ne jemi një vend, në të cilin, të ardhurat buxhetore nga viti 2005 në vitin 2007 janë rritur nga 22 % e GDP në 27 % e GDP-së, megjithë uljen drastike të taksave. Beteja kundër korrupsioni  është një beteje që do të vazhdojë çdo orë, çdo minutë, çdo ditë, por rezultatet tona tregojnë se kjo luftë po shtohet gjithnjë e më shumë. Nuk mund të them kurrë se ky fenomen çrrënjoset, por luftohet dhe dominohet. Dy vjet më parë, në vjeshtën e vitit 2005 unë kam vizituar Italinë. U kam deklaruar atë vit investitorëve italianë se qëllimi kryesor yni është që Shqipëria të shndërrohet në vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe ky ishte një premtim shumë i vështirë për kohën. Në atë periudhë Shqipëria ishte vendi më pak tërheqës për investimet në rajon dhe përballej me probleme të mëdha, por unë kisha bindjen se premtimi ishte i mundshëm. Për realizimin e tij krahas luftës kundër krimit dhe korrupsionit ne u angazhuam për të thjeshtuar pengesat burokratike dhe barrën e rendë burokratike që rëndonte mbi biznesin. Tashmë është realizuar ONE STOP SHOP për regjistrimin  bizneseve. Në atë kohë, regjistrimi i biznesit realizohej për 42 ditë. Do të nisim punën  për instalimin  e ONE STOP SHOP për licencat dhe lejet. Kemi ndërmarrë iniciativën, “Shqipëria një euro”, në bazë të së cilës ofrohen një seri shërbimesh apo tarifash të tjera me një euro.

Për të shndërruar vendin në një vend tërheqës për investimet e huaja kemi bërë një revolucion të vërtetë fiskal, kemi ulur nga 25 në 15 % tatim fitimin, kemi ulur nga 23 % në 10 % taksën mbi të ardhurat personale. Kemi ulur me 50 % taksën për biznesin e vogël. Kemi ulur me 31 % kontributin e sigurimeve shoqërore, 30 % çmimin  energjisë për biznesin. Shqipëria sot është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, me koston e punës më të ulët në Evropë. Është vend që realisht çdo ditë, po vjen gjithnjë  e më shumë në fokusin e biznesit të madh italian. Por ajo ka nevojë gjithashtu për biznesin e vogël dhe të mesëm italian. Për këtë arsye me zotin Prodi në fillim të dhjetorit ne do të firmosim një marrëveshje shumë të rëndësishme ekonomike, amendim të marrëveshjes ekzistuese, në mënyrë që jo vetëm bizneset e mëdha , por edhe ato të mesme dhe të vogla të gjejnë kushte të favorshme në Shqipëri. Janë të shumta  kompanitë italiane të mëdha qw kanw nisur dhe dorëzuar projektet e tyre në Shqipëri , disa prej tyre në fushën e çimentos,  të tjera në turizëm, Kinglor, Monkada dhe të tjera në fushën e energjisë ujore, erës. Kam patuar para pak ditësh një diskutim të zgjeruar me presidentin e ENEL Flavio Konti. Ai ka një projekt të madh energjik për Shqipërinë. Dje unë kam pritur grupin Camozzi Holding spa  dhe Westinghouse dhe kemi zhvilluar një diskutim të gjerë mbi mundësinë e ndërtimit të një centrali nuklear në Shqipëri, natyrisht pasi vendi të plotësojë të gjitha standardet , të gjithë kuadrin ligjor, të gjitha marrëveshjet, protokollet, të përcaktuara nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike, por ne jemi të hapur për plotësimin e tyre. Shqipëria sot është një vend i rëndësishëm në prodhimin e këpucëve dhe shumica e tyre janë italiane, në tekstile, por dhe në fusha të tjera.

Eksporti këtë vit është rritur me 28 % krahasuar me vitin e kaluar. Vërtet ne përballemi me probleme energjetike, por konsumi i energjisë nga biznesi është këtë vit me 12,5 % krahasuar me vitin e kaluar. Ne po punojmë për ti dhënë përgjigjen më të mirë këtyre problemeve dhe do ti zgjidhim ato. Ekonomia jonë është e re, dinamike dhe entuziaste, Të vetmit tregues një shifror të saj janë inflacioni dhe deficiti buxhetor. Ka një rritje dyshifrore të eksportit, të treguesit të shitjeve, të importeve, të kontributit të sektorit publik, pra në tërësi është një ekonomi e stabilizuar dhe në rrafshin makroekonomik me energji dhe entuziazëm. Ndaj dhe unë ju ftoj të konsideroni investimet tuaja në Shqipëri, duke iu siguruar ju se unë dhe qeveria ime mbetemi të vendosur për të bërë, çdo ditë e më miqësor mjedisin shqiptar për investimet tuaja."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›